Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar me gjuhë të ashpër sulmin e para pak orëve në dy xhami të Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë të paktën 40 persona dhe u plagosën rreth 20 të tjerë.

Thaçi ka thënë se Kosova e dënon ashpër aktin terrorist, duke shtuar se në këto momente populli dhe institucione kosovare ndajnë dhimbjen me familjen e viktimave, shkruan Reporteri.net.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, ka thënë Thaçi.

Reklamë

Ndërkohë, për sulmin janë prononcuar edhe figura të shteteve të mëdha si Theresa May, kryeministre e Britanisë së Madhe, e cila dënoi ashpër sulmin në Zelandë të Re.

Ndryshe, mediat raportuan se terroristi që u fut në xhami me armë para sulmit dëgjonte muzikë serbe ku përmendej Karaxhiq, krimineli serb i njohur për krimet në Bosnje./Reporteri.net.