×
  • Show Time
  • Show Time

    Adriana Matoshi tregon se çka e shtyri të bëhet deputete

    Reporteri
    22 Prill 2021 | 10:40

    Aktorja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, Adriana Matoshi pos aktiviteteve në teatër, seriale e xhirime të filmit, ajo këtë vit arriti të bëhet deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.


    Deputetja Adriana Matoshi ka folur për kontributin e saj që do të japë si deputete në disa tema.

    Pavarësisht faktit që Matoshi është rritur në frymën e artit, ajo shprehet se hyrja e saj në politikë nuk i pengon që të merret me profesionin e saj si aktore.

    “Është e vërtetë unë jam rritë në frymë të artit, jam rritë duke menduar për aktrim duke luajtur role të mëdha dhe të vogla, jam rrit në teatër në skenë por kjo nuk do të thotë që e kam lënë artin për asnjë moment. E vërtetë që unë tash kam hyrë në politikë, nuk është që më pengon sa i përket profesionit tim, por po më motivon më shumë sepse jam këtu për mi ndihmuar tjerët në ato pika që ndoshta unë si aktore kom pas probleme”, ka thënë Matoshi për Telegrafin.

    Ajo ka treguar se problemet me të cilat përballen gratë në Kosovë, kanë qenë motivi që e kanë shtyrë atë të merret me politikë.

    “Rolet që unë i kam pasur gjatë jetës time kanë qenë të bazuara në ngjarje të vërteta, dhe ato kanë pasur të bëjnë me rolin e gruas në Kosovë dhe qysh ato e kanë vështirë me jetu dhe me i përballu problemet që ato hasin. Kom shku si vullnetare me pa se qysh jetojnë ato gra, dhe e kom pa që kanë tepër vështirësi me dhunë në familje, me skamje, me dhunë psikike e fizike. Kjo ka qenë ndoshta arsyeja që më ka shty me u marr me politik dhe kom mëndu që unë muj me dhanë kontributin tim”, u shpreh Matoshi.

    Aktorja dhe deputetja Adriana Matoshi, ka folur edhe për kontributin e saj dhe fokusin që do ta ketë si anëtare e Komisionit Parlamentar për Kulturë.

    “Zemra më shkon ka kultura gjithmonë, por më shumë më dhemb shpirti për gratë që janë të dhunuara psiqikisht dhe fizikisht dhe fëmijët që janë pjesë e dhunës në familje. Jam shumë e lumtur që bëjë pjesë në këtë komision. Puna ime deri tani ka qenë në teren, kom vizitu Teatrin, Baletin, Qendrën Kinematografike, kom pa se ku jemi dhe ku janë ngecjet. Jam interesuar edhe për trashëgimin kulturore, kam pasur takim me ministrin e kulturës. Jemi tu punu të gjithë anëtarët e komisionit, jemi duke mbledhur informacione nga tereni dhe shumë shpejt do të merrni vesh se çka do të bëjmë konkretisht si komision”, u shpreh Matoshi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!