Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë mbledhjes ka folur për 100 ditëshin e Qeverisjes së tij para kabinetit qeveritar. Gjithashtu, Kurti dhe Ministri i Financave Hekuran Murati kanë prezantuar planin 1.1 miliard Eurosh të këtij të fundit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Sa i përket Rimëkëmbjes Ekonomike, shefi i ekzekutivit tha se buxheti i rishikuar ka mundësuar gjithashtu edhe dizajnimin e një pakoje të re që mundëson ringjalljen ekonomike të vendit.
Ai tha se kjo krijon bazën për një rritje të qëndrueshme dhe të punësimit për vitet në vijim.
Kurti u shpreh se pakoja e re parasheh kontribut në ekonomi në vlerë prej 1,1 miliardë euro dhe përmban një sërë masash dhe investimesh.
“Një pjesë e tyre janë të përqendruara si vijon: – 50 milionë euro mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës; – 108 milionë euro mbështetje për ngritjen e prodhimit vendor dhe rritjen e eksportit; – 112 milionë euro për shërbimet publike; – 50 milionë euro mbështetje për familjet; -100 milionë euro për infrastrukturë moderne dhe mbrojtje të ambientit”, njoftoi Kurti gjatë mbledhjes së sotme.
Po ashtu, edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se paka e Rimëkëmbjes Ekonomike do të jetë 1.1 miliard euro.
“Pako e rimëkëmbjes do të ketë ndikim në zhvillimin e vendit, zhvillim të qëndrueshëm dhe sigurim të vendeve të reja të punës. Pako gjithsej kap vlerën e 420 milionë euro, si dhe mobilizon dhe 700 milionë euro të tjera që është kapital nga grantet dhe sektori financiar. Gjithsej kontributi i kësaj pako ekonomike do të jetë 1.1 miliard euro”, njoftoi Murati.
“Janë ngrirë 3.7 milionë euro fonde të dyshimta të cilat dyshohet financim të terrorizmit dhe shpëlarje të parasë, si dhe është planifikuar edhe një fushatë e formalizmit dhe ndjekjes së aviacionit fiskal nga ATK”, shtoi ministri Murati.