Mëngjesi i ditës së sotme, e dielë 25 korrik, ishte tragjik për disa kosovarë të cilët humbën jetën në një aksident në Kroaci.
Autobusi me targa kosovare po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë, ku nga aksidenti humbën jetën 10 persona dhe 44 të tjerë janë të lënduar, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Artistë të shumtë përmes postimeve në rrjete sociale po solidarizohen me familjarët e viktimave.
Ishte Labinot Tahiri ai i cili fillimisht reagoi për tragjedinë e ndodhur, teksa u shpreh se mërgimtarët po japin edhe jetën për vendin e tyre.
Postimi i plotë:
Aq sa na bëjnë medaljet e arta krenarë nga vajzat e djemt tanë të kësaj toke, po aq ndjehemi krenarë që kemi vllezer e motra atje në mërgim dhe gjithçka që kanë na e sjellin në atdheun tonë, e kur behet fjalë jeta e tyre edhe atë e dhurojnë për këtê vend!!? Pra, edhe kur në pyetje është rrugetimi i tyre i vështirë, ata e konsiderojnë të lehtë kur behet fjalë Kosova, Shqipëria e shtëpiat e tyre.
Shpresojë se boll mesuam se sa të shenjtë janë GURBETQARÊT???? Zot, ngushëllo familjet e të vdekurve, ngushêllo tërë popullin tonë për vdekjen e atyre shpirtave ku sot humbën jetën duke ardhur në Kosovë!”
Një emër tjetër që reagoi ishte edhe këngëtarja Dafina Zeqiri e cila u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave.
Me zemër të thyer nga ky lajm tragjik u shpreh edhe Elvana Gjata e cila shkroi se lutjet e saj tani janë për familjarët e atyre që humbën jetën.
Këngëtari Sabri Fejzullahu shkroi se zemra po i pikon gjak nga kjo që ka ndodhur ditën e sotme. Fejzullahu shkroi tutje se këta mërgtimtarë janë buka e Kosovës.
Shkurte Gashi gjithashtu ka reaguar ndërsa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.
Nuk ka lënë pa reaguar edhe Capital T, i cili përmes një shkrimi në Instagram u ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Theksojmë se njëri nga shoferët e mbijetur është arrestuar menjëherë, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë.
/Reporteri.net/