Tenori me famë botërore, Ramë Lahaj do të mbajë koncert në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.
“Ramë Lahaj & Friends”, me datë 7 gusht, duke filluar nga ora 20:30 do të performojnë në kryeqytet.
Por, për tenorin e famshëm nuk po është i mundur realizimi i një prapaskene, ku ai dhe stafi i tij të mund të bëjnë përgatitjet, përfshirë nderimin e rrobave dhe grimin, gjatë koncertit që do të mbahet.
Gazeta Online “Reporteri.net” merr vesh se Qeveria ia ka mundësuar artistit dhe kolegëve të tij që të gjitha përgatitjet t’i bëjnë nga salla e medieve brenda objektit të Kryeministrisë.
“Në emër të zv. sekretarit, ju njoftojmë që me datën 07.08.2021 prej orës 20:30 në sheshin Skënderbeu, do të mbahet Koncerti i Ramë Lahajt and Friends, dhe Filharmonia e Kosovës. Për te lehtësuar mbajtjen e Koncertit, ju lutem që t’iu lejohet hyrja në Press Qendrën në Ndërtesën e Qeverisë në katin përdhesë, Nr.P/32, në mënyrë që artistë dhe stafi nga ajo sallë të dalin në skenë. Kjo kërkohet për arsye se nuk ka mundësi për vendosjen e një prapaskene të denjë për artistë dhe stafin, te vendi, skena dhe hapësira ku mbahet koncerti. Ju lutem, ti ndërmerrni hapat e nevojshëm për këtë çështje, përfshirë edhe aspektin e sigurisë”, thuhet në kërkesën e siguruar nga Reporteri.net e cila i drejtohet zyrtarëve policorë brenda objektit të Qeverisë.
Ramë Lahaj & Friends do të shfrytëzojnë këtë hapësirë nga ora 20:00 deri në 22:00.
Theksojmë se iniciative ‘Ramë Lahaj & Friends” do të zgjas plot 10 ditë, duke filluar nga 29 korrik deri më 7 gusht, për tu bërë një Festival Operistik.
“E akoma më shumë më gëzon fakti që kjo iniciativë për herë të parë po zgjerohet më tej, për tu bërë festivali i parë Operistik në Kosovën e para dhe pas luftës, i quajtur ‘Rame Lahaj International Opera’ Festival. Një ëndërr e imja e kahmotëshme – krijimi i një urë lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtar”, ishin fjalët e Lahajt sa i përket këtij Festivali. /Reporteri.net/