Mali i Zi dhe Kosova janë ndarë baraz në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Evropian, “Euro 2020”.


Kosovarët ishin dukshëm skuadër më e mirë në pjesën e parë, por një rënie e tempos në intervalin e dytë ndikoi që ata ta lëshojnë nga duart fitoren.

“Dardanët” ishin të parët që kaluan në epërsi duke shënuar në minutën e 25-të me anë të Milot Rashicës, i cili u gjend më së miri në zonën kundërshtare për të realizuar nga afërsia.

Reklamë

Me epërsi të kosovarëve u mbyll pjesa e parë. Në intervalin e dytë, djelmoshat e Bernard Challandesit disi e lëshuan tempon e lojës dhe kjo u kushtoi atyre.

Pas një krosimi në zonë nga Marko Jankovic, Stefan Mugosa u gjend më së miri në zonën e rrezikshme duke shënuar me kokë për 1-1, derisa gola të tjerë më nuk pati deri në fund.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të Grupit A, Kosova grumbullon dy pikë dhe pozicionohet në vendin e tretë.

Anglia kryeson me gjashtë pikë, ndërsa të dytin e zë Republika Çeke me tri.

Bullgaria është e katërta me dy pikë, ndërsa Mali i Zi në pozitën e fundit poashtu me dy pikë.

Reklamë