Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, e ka pranuar se skuadra e tij nuk i shfrytëzoi mundësitë e mira për ta mbyllur ndeshjen para se Mali i Zi ta shënonte atë që ishte goli i barazimit në përballjen e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020 të premte mbrëma në Podgoricë.
Mali i Zi e ndali Kosovën me atë që ishte barazimi i dytë radhazi në po aq ndeshje për verdhekaltrit në fushatën kualifikuese, të parën në histori për një Kampionat Evropian.
Challandes tha pas ndeshjes se nuk është i kënaqur me lojën në tërësi, duke e pranuar se nuk ishte ndeshja më e mirë e mundshme nga skuadra e tij.
“Ishte e mundshme në pjesën e dytë ta mbyllnim ndeshjen sepse patëm raste të mira. Nëse nuk shënojmë e pësojmë. Prandaj pranuam gol. Nuk jam i kënaqur. Luajtën ndeshje të veçantë si mysafir. Skuadra e mbajti topin mirë dhe patëm raste për të shënuar. Nuk ishte ndeshja më e mirë e mundshme por ishte mjaft e mirë”, tha Challandes.
Ai beson se “Dardanëve” u mungon vetëbesimi dhe qetësia me topin.
“Duhet të jemi më të qetë në fazën e fundit. Duhet të kemi më shumë vetëbesim sepse sulmuesit kanë nevojë për këtë. Kemi ushtruar dhe kemi luajtur ndeshje në stërvitje, por nuk mund ta shpjegoj sepse nuk kam një zgjidhje të veçantë për këtë por unë besoj se duhet ta ruajmë vetëbesimin”, shtoi ai.
Anglia është lidere e Grupit A me gjashtë pikë, duke e lënë prapa Çekinë me tri pikë dhe Kosovën në vendin e tretë me dy pikë, aq sa ka edhe Bullgaria në pozitën e katërt.
Mali i Zi ngel në pozitën e fundit me vetëm një pikë pas tri ndeshjeve.