×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Inspektorati i Tregut padit IPKO-n: Bëri shkelje të shumta me ndërprerjen e tri kanaleve kryesore në vend

    Reporteri
    28 Shtator 2021 | 14:23

    Inspektorët e Inspektoratit të Tregut në Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjatë muajit shtator 2021 kanë pranuar mbi 180 ankesa të konsumatorëve, të cilët janë ankuar lidhur me shërbimet e telekomunikimit kabllor të ofruar nga një operator ekonomik.


    Në një komunikatë të lëshuar për media, MINT- theksoi se, “duke u bazuar në nenin 9, paragrafin 1, pika 1.3, të Ligjit nr. 03/L-181 për Inspektoratin dhe mbikëqyrjen e Tregut, inspektorët e tregut kanë realizuar inspektim tek operatori ekonomik, ku kanë analizuar dokumentacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik, ankesat e konsumatorëve, provat materiale dhe në bazë të këtyre dëshmive ka rezultuar se operatori ekonomik ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve.

    Në bazë të Ligjit nr. 06/L034 për Mbrojtjen e Konsumatorëve, konkretisht të neneve13, 71, 72 dhe 73, operatori ekonomik ka bërë shkelje, si:

    Ka bërë reklamë mashtruese për klientët/konsumatorët duke promovuar shërbime të cilat nuk i ofron ose ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojë;

    Pa paralajmërim dhe pa asnjë njoftim paraprak ka ndërprerë transmetimin e disa kanaleve gjë që ka shtyrë një numër të madh të konsumatorëve që të ushtrojnë ankesë me pretendimin se janë mashtruar.

    Ka vendosur kushte të padrejta në kontratë duke e kushtëzuar klientin/ konsumatorin që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, klienti/ konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur, edhe pse i njëjti nuk ka mundësi të shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën.

    Inspektorati i Tregut, me datën 23.09.2021, ka iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për operatorin ekonomik dhe pritet që kjo lëndë të trajtohet me prioritet dhe konform dispozitave ligjore në fuqi.

    MINT dhe Inspektorati i Tregut janë të përkushtuar përherë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për siguri në treg.

    Mediat kanë siguruar dokumentin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ku MINT-i është ankuar kundër operatorit ekonomik “Ipko Telecommunications” L.L.C sh.p.k.”.

    Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Kushtrim Dakaj, këshilltari për Inspektorate i ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (Inspektorati i Tregut) do të jetë gjithmonë afër konsumatorëve për çdo gjë që do t’ju bëhet e padrejtë e që është në kompetencën tonë. Mbrojtja për ju do të jetë obligim për ne”, ka shkruar ai në Facebook.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!