Partitë politike që marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë intensifikuar takimet më qytetarët në kërkim të votës për kandidatët e tyre.
E drejtuesit e partive çdo ditë po lënë zyrat e tyre në kërkim të votës.
Kështu të mërkurën lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka dhënë mbështetje kandidatit të kësaj partie për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi.
Kurti ka kërkuar votën e qytetarëve të Obliqit, siç ka thënë ai për të punuar dhe ndërtuar këtë qytet.
“Obiliqi që më së shumti ka votuar për VETËVENDOSJE!-n do e bëjë Halil Thaçin Kryetar! Në zgjedhjet e fundit qendrore, si në shumë palë zgjedhje të tjera, qytetarët e Obiliqit e kanë votuar më së shumti VETËVENDOSJE!-n. Ngjashëm, e me atë ritëm ata do të na votojnë edhe në këto zgjedhje lokale që po afrojnë sepse tani e kemi Kryeministrin në qendër dhe kandidatin tonë në Obiliq, Halil Thaçin. Bashkë qeverisim, Bashkë punojmë, Bashkë ndërtojmë e zhvillojmë prej dates 17 tetor! VOTO 144”, ka njoftuar Vetëvendosje.
Pos Kurtit votën për kandidatin e tyre në Klinë e ka kërkuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Krasniqi i ka dhënë mbështetje të mërkurën kandidatit të kësaj partie për kryetar të Komunës së Klinës, Esat Rraci.
Ai tha se në dy fshatrat e kësaj komune Jashanicë e Gllarevë ka parë entuziazëm të jashtëzakonshëm për fitoren e kandidatit të PDK-së.
“Në Jashanicë e Gllarevë pashë entuziazëm të jashtëzakonshëm të qytetarëve të Klinës për t’i dhënë fund keqqeverisjes në këtë komunë, ku gjithçka ka stagnuar prej kohës kur nuk ka qeverisur PDK. Mbështetja për Esat Racin dhe PDK-në do të thotë perspektivë e zhvillim për Klinën. Më 17 tetor qytetarët e Klinës, të bashkuar e pa dallime partiake, do të votojnë për ndryshimin e madh, i cili i kthehet Klinës me Partinë Demokratike dhe kryetarin Esat Raci”, ka thënë Krasniqi.
Më aktiv se Kurti e Krasniqi sot është treguar lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka kërkuar votën e qytetarëve të Suharekës për Ardian Shalën dhe votën e llapjanëve për Ekrem Hysenin.
“Të gjithë qytetarët e Suharekës, me shumë të drejtë në çdo takim po i japin mbështetje kandidatit tonë për kryetar, Dr. Ardian Shala. Ai e njeh shumë mirë se si frymon Suhareka, nevojat e banorëve dhe sfidat e tyre. Prandaj, LDK-ja kërkon që ju të angazhoheni edhe pak më shumë, të ftoni familjarët e miqtë tuaj, që këtë mbështetje ta rikonfirmojmë më 17 tetor”, njofton LDK.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ndër të tjerash ka ftuar të gjithë qytetarët që të bashkohen në rrugëtimin e LDK-së drejt fitores në Suharekë dhe ta mbështesin Dr. Ardian Shala, i cili me dashni dhe angazhim maksimal do të jetë shërues i shumë zemrave në Suharekë të cilët meritojnë qeverisje të mirë, për të gjithë.
Abdixhiku në Facebook-un e tij ka kërkuar kthimin e qytetit të Podujevës, që deri në zgjedhjet e e parakohshme lokale qeverisjes vetëm nga LDK.