×
  • Show Time
  • Show Time

    “Na këpute shpirtin”, artistët kujtojnë regjisoren Burbuqe Berisha

    Reporteri
    27 Tetor 2021 | 16:49

    Në moshën 51-vjeçare, gjatë ditës së sotme, Burbuqe Berisha ka ndërruar jetë në vendin e punës, në Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit.

    Dyshohet se ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar vdiq pas një sulmi në zemër, derisa autoambulanca kishte arritur në vendin e ngjarjes, por pa pasur mundësi t’i shpëtonte jetën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Berisha ishte një nga figurat kyçe në botën e artit, e që njihet si një krijuese e një sërë filmash me metrazh të shkurtër dhe te gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar, e që në vitin 2019 u shpall fituese e çmimit kombëtar për kinematografi.

    Një ndër të parët që dhanë lajmin për vdekjen e saj, ishte aktorja Shengyl Ismaili e cila reagoi përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, teksa të shumta ishin reagimet edhe nga aktorë kolegë të saj.

    “Pusho e qetë Buqe, shpirt i bardhë”, shkroi aktorja, ku publikoi edhe një fotografi të të ndjerës.

    Një reagim tjetër erdhi edhe nga deputetja, njëherit aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se regjisorja la një boshllëk në zemrat e të gjithëve.

    “Na paska lane Buqja fizikisht! Lajm shume i rande per komunitetin tone e boshllek pergjithe ne zemrat tona. Ngushllime familjareve e kolegeve. Pushofte ne Paqe shpirti i saj i mrekullueshem”, shkroi ajo.

    “Buqe pusho e qetë, zoti të shpërbleft me xhenet, na këpute shpirtin bre”, ishte reagimi i aktorit Edi Kastrati, i cili edhe publikoi një fotografi së bashku me të ndjerën.

    Gjithashtu një reagim pati edhe nga Ledri Vula i cili u shpreh se do e marrë malli shumë për të.

    “Pusho e qetë Buqe, ka me më marrë malli fort”, shkroi reperi kosovar.

    Zemër thyer është ndjerë me këtë lajm, edhe aktorja Teuta Krasniqi e cila ka kujtuar aktoren po në këtë ditë të trishtë pasi ka marrë vesh lajmin.

    “Buqe na theve zemrat sot”, shkroi Krasniqi.

    Burbuqe Berisha, për një vit e gjysmë ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, për katër vite si producentë në Kosova -Film, po ashtu për katër vite me radhë si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota” ne vitin 2017 kryetarë e këshillit drejtues te TKK .

    Në shumë festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale me karakter ndërkombëtar dhe është aktiviste e shume kampanjave bamirës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!