Analisti Petrit Zogaj ka komentuar videon e Arben Vitisë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetar të Prishtinës, ku shfaqet duke qeshur me një ide të kandidatit të LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama.
Zogaj tha se kjo video ka doza të fashizmit, teksa deklaroi se një gjë e tillë duhet të dënohet.
“Prej kur qenka normale qe me e perqeshe nje person tjeter per menyres se si flet, per zerin e per gjestet? Arben Vitia permes nje video denigruese e paska sulmuar Perparim Ramen. Kjo doze fashizmi e Vitise do te duhej me u denu dhe njekohesisht as mos me u marre ne konsiderate kandidatura e tij per kryetar te Prishtines”, ka shkruar ai në facebook.
Ndryshe, për videon e Arben Vitisë ku tallet me Përparim Ramën, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, i ka bërë thirrje kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosja, që të garojë me të me plane konkrete, duke shtuar se nuk synohet posti publik me hajgare.
Në videon e Vitisë, ai me ironi thotë se “do të rrënojmë Pallatin e Rinisë dhe stadiumin”, duke e imituar me përqeshje Përparim Ramën.
“Ftoj Vitinë të bëjë garë me plane konkrete dhe projekte serioze, e jo me kopje të plogështa dhe me hajgare. Menaxhimi i qytetit është shumë çështje shumë serioze dhe duhet të merret si e tillë”, tha Rama.
“Fatkeqësisht jeni duke parë nga kundërkandidati copëza të kopjuara prej projektit tonë e të kthyera në video të shtrenjta për të mashtruar qytetarët. Flet për një fushë të gjelbëruar pa përkrahje infrastrukturore, duke zhdukur edhe një prej parkingjeve kyçe të qytetit. Një ndeshje futbolli për shembull do të krijonte kaos në këtë zonë. Kjo dëshmon edhe njëherë që pushteti aktual i cili deri më tani as nuk veproi e as nuk përëmendi parkun qendror, u kujtua për këtë vetëm pasi u prezantua nga ne. Kjo tregon se kundërkandidati im jo veç që nuk ka një plan konkret për kryeqytetin nuk do të ishte i aftë për ta realizuar. Kjo pjesë e qytetit kërkon një plan serioz që ne e kemi prezantuar muaj më parë”, ka thënë Rama.