Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama ka thënë se do të jetë i hapur për të gjithë ata që janë profesionist dhe do të bashkëpunoj me të gjithë pa dallime politike
Ai ka thënë se edhe pse ka ekipen e tij është i hapur për bashkëpunim në departamente të ndryshme me të gjithë ata që kanë aftësi menaxhuese dhe profesionale.
“Unë jam i hapur në aspektin e menaxhimit, të administrimit të komunës jam i hapur për çdo kënd që është profesional. Unë kam ekipen time, por nëse dikush nga ndonjë parti tjetër Vetëvendosje, apo Paria Demokratike apo kushdo tjetër që ka aftësi menaxhuese apo profesionale që të menaxhojnë departamentet e ndryshme, ata janë të mirëseardhur. Pra nuk ka lidhje këtu koncensuesi politik për arsye se unë jam i hapur ndaj të gjithëve”, tha Rama në CONTEXT.
Derisa ka shtuar se ka lexuar programet e të gjithë kandidatëve për Prishtinën dhe çdo gjë që programet e të tjerëve kanë pasur ai do t’i shoh si një plus në programin e tij.
“Ne jemi të hapur për koalicione me të gjithë, edhe me Vetëvendosjen, edhe me PDK-në edhe me çdo pjesëtar që sheh se ne mund të bëjmë përmirësime ne programin tonë. Tash unë i kam pa edhe programet e kundër kandidatëve, edhe çdo gjë që kanë ata ne do ta kemi në programin tonë plus. Sepse programet e mëparshme e edhe ato të tanishme mirren me problemin dhe zgjidhjen e problemeve, mirëpo i yni merret me problemin, zgjidhjen e problemeve dhe me vizionin e të ardhmes, domethënë me vizionin për Prishtinën”, ka thënë Rama.
Kandidati për të parin e Prishtinës po ashtu ka thënë se bashkëpunimi me të tjerët duhet të jetë për program dhe ide, e jo për pazare politike.
“Ne jemi të hapur për shembull nëse dikush nga PDK-ja thotë këtë mundemi me e ndërru këtë edhe ne iu ndihmojmë nuk kam problem, por gjithmonë duhet të jetë për program për ide, jo për pazare të departamenteve të ndryshme apo drejtori të ndryshme”, tha ai.
Ndryshe në balotazh për Prishtinën në zgjedhjet që do të mbahen me 14 Nëntor janë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës.