×
  • Lajme
  • Lajme

    E rrahën keq klientin në Galeria Mall, aktakuzë ndaj sigurimit të Qendrës Tregtare në Prizren

    Reporteri
    17 Dhjetor 2021 | 15:49

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.A, B.A, T.Ç, dhe A.B, lidhur me rrahjen në një Qendër Tregtare në nëntor të këtij viti.

    Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Prizren, ku thuhet se të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Sulmi” dhe “Kanosje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit B.A., (1999) dhe B.A., (1976) më 21 nëntor 2021, në njërën prej Qendrave Tregtare në Prizren, në bashkëkryerje personit tjetër i shkaktojnë lëndim të lehtë trupor, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje në mes të pandehurve dhe të dëmtuarit T.Ç., në lidhje me vendosjen e maskës – e sulmojnë fizikisht duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke e rrëzuar për toke, me ç’rast të njëjtit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore.

    Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 185 të Kodit Penal.

    Ndërsa, të pandehurit T.Ç., dhe A.B., thuhet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, personit tjetër i shkaktojnë lëndim të lehtë trupor, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshjeje fillimisht në mes të pandehurit T.Ç, dhe të dëmtuarit B.A. (1976), në lidhje me vendosjen e maskës, e sulmon fizikisht duke e kapur me duar për rroba e për gjoksi e duke e tërhequr, e më pas duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

    Aktakuza thotë se më pas në ndërkohë ndërhynë edhe i pandehuri A.B, duke e goditur me shqelm të dëmtuarin B.A. (1976) në pjesë të ndryshme të trupit, me ç‘rast të njëjtit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore .

    Me këto veprime, të pandehurit T.Ç., dhe A.B, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 dhe “Sulmi” nga neni 184 i KPRK-së.

    Tutje thuhet se i pandehuri T.Ç., seriozisht i kanoset personit tjeter me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose do t´i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjes – zënkës në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit B.A.(1999) – në lidhje me vendosjen e maskës, kah fundi i konfrontimit fizik në mes tyre e kanosë më fjalë, me ç’rast tek i dëmtuari shkakton ankth, frikë dhe pasiguri.

    Me këto veprime, i pandehuri T.Ç, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas nenit 181 të Kodit Penal.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!