×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku: LDK-ja e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 13:05

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    “Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

    Komuniteti ndërkombëtar tha se me keqardhje ka pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

    “Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

    Ambasadorët e shteteve të QUINT-it, janë duke zhvilluar takim me krerët shtetërorë të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!