Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu mbajtën konferencë për media, transmeton Reporteri.net.
Hajdari, ka konfirmuar se katër kompani që merren me përpunimin e derivate të naftës, u është revokuar leja.
Ajo tha se Ministria që drejton është bazuar në fakte të cilat i ka konstatuar edhe Dogana. Hajdari ka njoftuar se Dogana e Kosovës ka kryer analiza dhe kontrolle te katër subjektet që merren me përpunimin e produkteve të naftës.
Kosova Rafinery, Kulla Exim, In Oil dhe Petrol Company, janë kompanitë të cilave u janë pezulluar lejet, tha ministrja Hajdari në një konferencë për media.
“Ne si ministri e Industrisë kemi revokuar dhe pezulluar 4 subjekteve lejet për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final dhe shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë ose mazut. Njërit subjekt ia kemi pezulluar edhe lejen për importin e vajrave të rënda”, është shprehur ajo.
“Aty ka gjetur parregullsi të shumta që pengojnë mbikqyrjen dhe rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetin të shtetit”, është shprehur ajo.
Më tej, ministrja Hajdari theksoi se Dogana ka pezulluar dhe nuk ja ka vazhduar autorizimet katër subjekteve.
“Disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicensuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara”, ka thënë ajo.
Hajdari ka thënë po ashtu se në kazermat e FSK-së është gjetur naftë me përmbajtje të lartë të sulfurit.
“Gjatë javëve të fundit kemi marrë dhe testuar disa mostra të dizellit në kazermat e FSK-së. Kemi “gjetur shumë raste të jokonformitetit. Në një rast kemi gjetur disel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligram për kilogram që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligram për kilogram. Për këto raste do të njoftojmë edhe prokurorinë”, ka thënë ajo.
Inspektorati sipas saj, në bashkëpunim me Doganën dhe ATK-në ka gjetur se një numër i madh i shitësve ka tejkaluar marzhën tregtare të lejuar me vendimin e Qeverisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, deklaroi se nga kontrolli i kryer ndaj katër subjekteve, nuk është gjetur “ndonjë interes për vendi”, derisa shtoi se në vendin e hetimeve, kamerat e vendosura nuk i ruanin xhirimet.
“Për këtë proces të homogjenizimit, këto kompani kanë përfituar nga lirimi në taksë të akcizës. Nga kjo është mundësuar të ketë shmangie të pakontrollueshme të të hyrave”, tha drejtori.