220 mijë punëtorë të sektorit privat i kanë marrë sot 100 eurot shtesë. Paratë i kanë marrë edhe punëtorët e sektorit publik dhe pensionistët. Por, kur do t’iu dalin këto para punëtorëve të tjerë të sektorit privat që s’kanë qenë të lajmëruar në shkurt dhe studentëve?
Shtesat që ua kishte premtuar Qeveria, shumicës së punëtorëve të sektorit privat u kanë dalë sot nëpër xhirollogari, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, mbi 220 mijë persona do t’i marrin sot 100 eurot.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se sapo është kryer pagesa e shtesës prej 100 euro për rreth 210 mijë të punësuar dhe 10 mijë të vetëpunësuar të sektorit privat (atyre që nuk marrin paga nga buxheti i shtetit). Pra gjithsej 220 mijë persona sot do të pranojnë në llogaritë e tyre shtesën prej 100 euro”, ka shkruar Murati në Facebook.
Por, jo të gjithë punëtorët e sektorit privat i kanë marrë këto shtesa. Pjesa tjetër e punëtorëve, që s’kanë qenë të deklaruar në shkurt, do t’i marrin 100 eurot në qershor, por me një kusht.
“Janë mbetur edhe aplikantët e lajmëruar në mars e që nuk kanë qenë të lajmëruar në shkurt, për të cilët pagesa do të kryhet në muajin qershor, me kusht që vazhdojnë të jenë të deklaruar si punëtorë për së paku tri periudha tatimore (mars, prill, maj) nga punëdhënësi”, ka shkruar Murati.
Shtesat e premtuara s’i kanë marrë ende as studentët. Murati ka deklaruar dje se pagesat për studentët do të procedohen sapo të përmbyllet afati i aplikimit.
“Për studentët ndërkaq, aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta”, thuhet në postimin e Muratit.
Studentët kanë afat që të aplikojnë për këtë mbështetje deri me 3 qershor.
Kur ishte hapur aplikimi, Ministria u kishte bërë thirrrje për kujdes gjatë plotësimit të të dhënave.
“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të aplikuesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi. Aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga data 7 maj 2022 deri më 3 qershor 2022”, thuhej në njoftim.
Ministria kishte edhe një paralajmërim për studentët, që edhe punojnë.
“Vëmendje: Studentët të cilët kanë përfituar nga ndonjë prej masave të prezentuara nga Qeveria në kuadër të mbështetjes shtesë për qytetarët nga 100 euro, nuk mund të përfitojnë sërish”, thuhej në fund të njoftimit.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti kishte prezantuar këtë pako të mbështetjes në muajin prill, në një konferencë të përbashkët me ministrin Murati.
Vlera totale e kësaj pakoje është mbi 100 milionë euro dhe, sipas Kurtit, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.
“Për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës. Pensionistëve do t’u ndahen nga 100 euro shtesë për muajin prill, dhe do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension. Për herë të parë, do të mvbështesim me 100 euro të gjithë punëtorët e sektorët privat. Në kuadër të kësaj pako do të ndahen edhe nga 100 euro për mbi 80 mijë zyrtarë publikë Për herë të parë, do të mbështeten të gjithë studentët nga 100 euro. 80 mijë student do të përfitojnë nga kjo…Vlera totale e kësaj është mbi 100 milionë euro, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje”, kishte deklaruar Kurti./Reporteri.net