×
  • Lajme
  • Lajme

    Dallaveret në RTK: Kryesindikalisti Fadil Hoxha u avancua dy herë brenda 6 muajve, siguroi 300 euro pagë më të lartë

    Reporteri
    27 Maj 2022 | 16:51

    Avancimi i dyshimtë i Fadil Hoxhës në RTK si shef njësie nuk del të jetë i vetmi veprim profitabil i Kryetarit të Sindikatës së pavarur të RTK-së. Hoxha del se pati dy avancime brenda 6 muajve, që i siguruan atij pagë rreth 300 euro më të lartë. Lexojeni pjesën e dytë të raportimit për dallaveret e avancimeve në televizionin publik.

    Para se Fadil Hoxha ta propozonte vetën dhe të avancohej si shef njësie në RTK, ku u pagua retroaktivisht për rreth një muaj pa e ushtruar këtë detyrë, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së me pëlqimin e ish-drejtorit të RTK, Mentor Shalës, kishte përfituar rritje page edhe një herë 6 muaj më parë.

    Vlera e rritjes së dy avancimeve kishte shkuar deri në 300 euro. Paga e tij bruto nga 770 Euro sa kishte qenë, iu rrit në afro 1,100 euro bruto.

    Dallaveret në RTK: Kryesindikalisti Fadil Hoxha e propozoi vetën si shef njësie, u pagua edhe për ditët që nuk e kishte këtë pozitë

    Në kontratën e punës të cilën Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike, dëshmohet se avancimi i parë në pagë i Fadil Hoxhës në RTK kishte ndodhur në fund të vitit 2017, ku si hulumtues i Programit, me kërkesë të tij ai kishte përfituar kështu një rritje page rreth 180 euro në muaj. Ky avancim kishte ndodhur gjatë ndryshimit të rregullores së koeficienteve të pagave në RTK.

    Në kuadër të kësaj rregulloreje, me kërkesë të Hoxhës ishte krijuar poashtu pozita e re, ajo e Udhëheqësit të Njësisë së Hulumtimit që kishte vetëm dy punëtorë. E kështu, brenda disa muajsh, përkatësisht në qershor të 2018-ës, vetë Fadil Hoxha u zyrtarizua si shef i kësaj njësie, pa vlerësim performance e pa konkurs, duke përfituar sërish rritje page edhe për rreth 130 euro tjera.

    Gazeta Online Reporteri.net, javën që shkoi ka raportuar në lidhje me këtë avancim, si pjesë e parë e këtij raportimi.

    Sipas dëshmive të siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, del se avancimi i parë kishte ndodhur disa muaj pasi, ndaj Kryetarit të SPRTK-së, në pjesën e parë të vitit 2017, ishte iniciuar Komision Disiplinor ndaj tij. Duke qenë në proces të hapur disiplinor, Hoxha iu ishte drejtuar Avokatit të Popullit për të nënshkruar pajtimin me drejtorin e atëhershëm Mentor Shala dhe kryetarin e bordit të RTK-së, Ismet Bexhetin.

    Në pikën e pestë të aktpajtimit të arritur më 28 prill 2017, thuhej se sindikata të cilën e udhëheq Fadil Hoxha, “të përfshihet në procesin e reformës organizative dhe hartimin e normativës së brendshme”. Por kjo pikë del se ka vlejtur vetëm për sindikatën që e udhëheq Hoxha, e jo edhe për sindikatën tjetër brenda RTK-së, e cila udhëhiqet nga Gëzim Bimbashi, e që është nënshkruese e këtij aktpajtimi.

    Në aktpajtim, ndër të tjera thuhet se “palët zotohen dhe shprehin gatishmërinë që bashkërisht të kontribuojnë në funksionimin e Televizionit Publik të Kosovës dhe komunikimin konstruktiv dhe të arsyeshëm për zgjidhjen e situatave të diskutueshme brenda RTK-së, si dhe për ruajtjen e imazhit publik, si institucion i pavarur me rëndësi të posaçme”.

    Pas nënshkrimit të këtij Aktpajtimi, procesi disiplinor ndaj Fadil Hoxhës ishte ndërprerë së trajtuari dhe ishte përmbyllur pa ndonjë vendim.

    Kryetari i SPRTK-së, Fadil Hoxha, ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Online Reporteri.net për të sqaruar rreth avancimit të tij në RTK. /Reporteri.net/.

    Ceremonia e nënshkrimit të Aktpajtimit, 28.04.2017

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!