Këtë muaj, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, e përfundon këstin e fundit për njërën prej banesave në lagjen luksoze “Marigona Hill. Aliu ka në pronësi të përbashkët një banesë në këtë lagje që ka sipërfaqe 89.7 metra katrorë dhe një terasë 22 metra katrorë. Kur e kishte bërë deklarimin në fund të marsit të vitit 2022, Aliu kishte borxh për këtë banesë 23 mijë euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njërën prej lagjeve më luksoze në Kosovë, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastukturës, Libur Aliu, posedon dy banesa. Të dyja i ka në pronësi të përbashkët dhe ka deklaruar se i ka blerë me kredi. Për njërën prej tyre, këstin e fundit e ka këtë muaj.
Bëhet fjalë për banesën që ka 89.7 metra katrorë dhe një terasë 22 metra katrorë. Kur e kishte dorëzuar deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit në fund të marsit, Ministri kishte borxh për këtë banesë 23 mijë euro.
E për banesën tjetër ka deklaruar se ka borxh 58 mijë euro dhe pritet ta “lajë” në dhjetor të vitit 2023.
Këto s’janë pasuritë e tij të vetme. Aliu ka deklaruar edhe një tokë bujqësorë 15 mijë euro, që e ka trashëguar. E bashkëshortja e tij ka edhe një banesë me garazh në vlerë 85 mijë euro. Pagesën thotë se e bën me këste dhe një pjesë nga trashëgimia.
Si pasuri të luajtshme, Ministri e ka deklaruar një veturë të llojit BMW. Vlera e saj, sipas Aliut, është 6 mijë e 500 euro dhe e ka blerë këtë vit.
Para të gatshme në banka, Aliu ka thënë se i ka 93 euro e 28 centë, derisa gruaja e tij i ka 97 euro e 91 centë të kursyera.
I pari i Ministrisë së Infrastukturës ka edhe borxhe. Përveç atyre për banesat në Marigonë, i ka 5 mijë euro kredi për blerjen e veturës dhe 657 euro në një kartë krediti.
Ndërkohë, gruaja e tij ka rreth 33 mijë euro borxhe.
Të hyrat vjetore të Aliut sillen rreth 20 mijë euro. 5 mijë e 682 euro ka deklaruar se i ka marrë nga Kuvendi i Kosovës, 2 mijë e 40 euro si pagë nga Kolegji UBT dhe 12 mijë e 897 euro nga Ministria.
Edhe bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore rreth 20 mijë euro.
Ndryshe, rreth dy javë më parë, Aliu thoshte se nuk e i kujtohet saktë se sa ka qenë vlera e banesave, të blera në lagjen e konsideruar si luksoze në Prishtinë.
“Kur e kemi marrë banesën në fillim ka kushtuar shumë më lirë në fillim. Këtë tjetrën ka qenë shumë më shtrenjtë. S’më kujtohet saktë“, ka thënë Ministri./Reporteri.net