Shefi i asamblistëve të VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, i është gëzuar heqjes dorë së festivalit “Sunny Hill” nga prona 17-hektarëshe që Komuna e Prishtinës ia dha në shfrytëzim për 99 vjet.
Përmes një reagimi në Facebook, asambleisti Sveçla ka thënë se tani çdo gjë është në rregull.
“Të dashur qytetarë, duhet ta mirëpresim heqjen dorë të Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë. Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, ka shkruar ai.
Edhe kreu i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi festivali “Sunny Hill” dështoi të organizohet në Prishtinë.
Rama ia ka lënë fajin Qeverisë Kurti për këtë, duke thënë se ky vendim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas Ramës, dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.
“Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë. Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se pret që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës.
:Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit. Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, ka shkruar Rama./Reporteri.net