×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Deklaratat e zyrtarëve serbë për Asociacionin, Kusari-Lila: Nuk biem pre e deklaratave të tilla

    Reporteri
    21 Qershor 2022 | 20:11

    Kosova dhe Serbia të martën në Bruksel kanë arritur marrëveshjen për energjinë e cila ishte nënshkruar nëntë vite më parë, pra gjatë vitit 2013, ndërsa ishte konfirmuar në 2015-tën.  Përmes kësaj marrëveshje është hapur rruga e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore të banuara kryesisht me qytetarë të nacionalitetit serb.

    Kjo marrëveshje është komentuar edhe nga deputet të pozitës e opozitës.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila ka thënë se tani qytetarët që jetojnë në komunat veriore do të paguajnë për rrymën që shpenzojnë duke i respektuar  ligjet e Kosovës. Ajo i ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve serbë se kjo marrëveshje i hap rrugë Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për çka ka thënë se nuk duhet rënë pre e deklaratave të tilla.

    “Aspak nuk biem pre e manipulimeve të vazhdueshme nga ana e Serbisë, përfshirë edhe deklaratën e mëhershme të Vuçiqit e tash edhe të Petkoviqit, për arsyeje se kjo marrëveshje, apo zbatimi i saj është kthim i normaliteti në veri pas plotë 23 viteve mungesë të faturimit apo mbajtjes së përgjegjësisë dhe, natyrisht kompensimit monetar për energjinë e shpenzuar”, deklaroi Kusari-Lila për KosovaPress.

    E deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka bërë thirrje që marrëveshja të impelmentohet e jo të mbesin në letër. Por nuk ka kaluar pa akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila sa kishte qenë në opozitë kishte drejtuar Kritika ndaj kësaj marrëveshje.

    E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka ngritur dyshime për sa i përket implemenmtimit të kësaj marrëveshjeje.

    “Jam skeptik që do të implementohen sipas udhëzuesit që e kanë përpiluar dhe e kanë nënshkruar, e them këtë sepse ne e dimë nga Elektroseveri, edhe pse ka qenë marrëveshja që ai të aplikojë sa i përket shpërndarjes së energjisë elektrike, ai ka aplikuar edhe për mbledhjen e taksave apo çmimit të energjisë, faturave edhe për shpërndarjen kështu që e ka thyer marrëveshjen vetëm për të fituar në kohë, që sa vite nuk kanë paguar qytetarët e veriut të Kosovës, prandaj me një fjalë përmbyllëse ne nuk guxojmë të mashtrohemi nga Qeveria e Serbisë sepse asnjëherë nuk ka qenë serioze dhe nuk iu ka përmbajtur marrëveshjeve apo implementimit të këtyre marrëveshjeve. Ne i kemi 33 marrëveshje por deri më sot asnjëra prej tyre nuk është implementuar” deklaroi Lekaj.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i delegacionit serb, Petar Petkoviq arritën marrëveshjen për zbatimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri gjatë paradites së sotme në Bruksel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!