×
  • Lajme
  • Ekonomi

    E konfirmon Ministria e Ekonomisë: Përfundon remonti i Bllokut B2 dhe sanimi i A3, blloqet kthehen në funksion

    Reporteri
    01 Shtator 2022 | 15:45

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka përfunduar remontin e bllokut B2, njësi e cila tashmë është rikthyer në funksion dhe është duke prodhuar afro 260 MWh.

    Gjithashtu, KEK ka përfunduar sanimin e rrjedhjeve të ujit në njësinë A3, e cila është rikthyer në funksion dhe është duke prodhuar afro 130 MWh, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë.

    Aktualisht, KEK ka në funksion të prodhimit katër blloqe: A3, A4, B1 dhe B2, të cilat në total prodhojnë afro 800 MWh.

    Ministria e Ekonomisë thotë se është duke monitoruar situatën e remontit dhe sanimit të blloqeve të Kosovës A dhe Kosovës B nga ana e KEK-ut, “për t’u siguruar që këto blloqe do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit gjatë dimrit”.

    Sipas njoftimit, “përderisa kthimi i dy blloqeve në funksion luan rol kyç në përmirësimin e situatës energjetike në vend, si dhe sigurisë së furnizimit”, Ministria e Ekonomisë bën thirrje për të gjithë qytetarët dhe bizneset e vendit që të konsumojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale në një kohë kur vendi, rajoni dhe Evropa janë duke u përballur me krizën e vështirësuar energjetike.

    Gazeta Online Reporteri.net më herët ka raportuar për kthimin në funksion të Bllokut B2, që pritet të përmirësojë furnizimin me rrymë. /Reporteri.net/.

    Lëshohet në funksion Blloku B2, pritet përmirësim i furnizimit me rrymë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!