Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka folur për krizën energjetike dhe dimrin e vështirë që e pret vendin.
Ai ka thënë se kanë tentuar që të lidhin kontrata afatgjate për importin e energjisë, por asnjë prej shteteve s’ka pranuar. Bislimi ka thënë se kanë tentuar të nënshkruajnë marrëveshje të tilla me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Danimarkën, por që asnjëra s’ka pranuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Masat që kanë sugjeruar disa mendjendritur që me ba kontrata afatgjate, është pa që asnjë shtet s’po mundet me nënshkru kontrata afatgjatë. Sepse edhe ata që e kanë energjinë nuk janë budallenj. Pse me ta ba kontratën afatgjate me 180 euro, kur çmimi është 1 mijë euro për MWh. Kemi tentuar me Bullgarinë, Maqedoninë, Greqinë, kemi tentu edhe me Danimarkën. Të gjithë thonë po e shohim, masnej thonë jo vetëm këmbim”, ka deklaruar Bislimi në ATV.
Sipas tij, Kosova po përballet me krizën energjetike shkaku i kapaciteteve të stërvjetëruara.
“Ne e kemi krizën për arsye se i kemi kapacitetet e stërvjetruara, e në të cilat nominalisht kanë hyrë qindra miliona euro investime. E me pas hy investime sa është thënë nominalisht, ato ish dashtë me u dok si të reja. Po aty në çdo moment mundet me pëlcit një gyp, sepse thotë ky gyp s’është prek nga 1990. Kjo është situata me kapacitetet ekzistuese. Edhe me u tranu, kapacitete ekzistuese s’mundesh me i ndryshu brenda 5 viteve”, ka thënë Bislimi./Reporteri.net