Rrjedhojë logjike të një situate të pazgjidhur e quajti Lëvizja për Bashkim gjendjen e krijuar në pjesën veriore të Kosovës, ku përfaqësuesit serbë u tërhoqën nga pjesëmarrja institucionale, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Dialogu Kosovë-Serbi është në binarë të gabuar, vlerësoi Lëvizja për Bashkim, dhe se sipas tyre shtrimi i drejtë i çështjeve në bisedime duhet të vendoset mbi bazën e reciprocitetit në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve dhe shmangie të bisedimeve me Serbinë për çështje të brendshme.

Lëvizja për Bashkim thotë se për sa kohë që dialogu është i formatuar asisoji ku me Serbinë vazhdohet të dialogohet për punët e brendshme të vendit, do të kemi në vazhdimësi tensionim të situatës në veri dhe jofunksionalitet në tërë Kosovën.

Reklamë

Reagimi i plotë i Lëvizjes për Bashkim:

Situata e nderë në veri, rrjedhojë logjike e një situate të pazgjidhur

Që nga shpallja e pavarësisë, në vazhdimësi e jo rrallë herë, kemi pasur tensionime e përshkallëzime të situatës në veri të Kosovës.

Kjo situatë vjen si rrjedhojë e një çështjeje të pazgjidhur – çështjes së veriut.  Qytetarët serbë të veriut, të shtyrë e të mbështetur nga Serbia, nuk e pranojnë dhe e sfidojnë hapur shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Në anën tjetër, dialogu i vendosur në binarë të gabuar as nuk ka prodhuar, e as nuk pritet të prodhojë ndonjë zgjidhje që do t’i jepte fund mundësisë së tensionimit të situatës.

Prandaj shtrimi i drejtë i kësaj çështjeje, dialogu i vendosur mbi bazën e reciprocitetit në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve dhe shmangia e bisedimeve për çështje të brendshme me Serbinë, është rruga e duhur për t’iu dhënë fund tensionimeve të herëpashershme dhe për t’i dhënë vendit e kombit një zgjidhje të përhershme.

Reklamë

Në të kundërtën, nëse vazhdojmë të bisedojmë me Serbinë për çështje të brendshme të vendit tonë dhe nëse merremi me çështje teknike (edhe kur është në pyetje zbatimi i ligjit, siç është çështja e targave), në vend të zgjidhjes së plotë politike, do të kemi në vazhdimësi tensionime në veri e jofunksionalitet në tërë Kosovën.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 06.11.2022