Kuvendi i Kosovës të enjten ka shtyrë seancën për votimin e Ligjit për Specialen, pa caktuar një datë të re se kur do të mbahet ajo. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të nisin iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se javën e ardhshme pritet të pranohet drafti i parë i strategjisë nga grupi punues për Ligjin për Specialen.

Në Kuvendin e Kosovës, ai ka thënë se pjesë e këtij grupi do të jenë edhe ekspertë të shumtë.

Reklamë

Duke komentuar Ligjin për Specialen, i cili ka ardhur në Kuvend, Kurti ka thënë se ai është hartuar si rezultat i pakënaqësisë lidhur me aktgjykimin, duke shtuar se që nga fillimi kishin shprehur rezerva

“Nga pakënaqësia lidhur me aktgjykimin erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton vetëm qëllimi i mirë, duhet të kemi edhe sukses. Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet. Ne presim që javën e ardhshme grupi punues ta sjellë draftin e parë. Aty janë të angazhuar të gjithë dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme. Presim gjithashtu që ky ekip me ekspertë ta sjellë javën e ardhshme draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur qëndrimin e tij sa kjo gjykatë është e pazakontë.

“Unë, si kryeministër, nuk kam ndryshuar qëndrim për Dhomat e Specializuara që nga pranvera e vitit 2015. Mendimi është i njëjtë, se kjo gjykatë është e pazakontë, aq sa edhe termi ‘sui generis’ për të është i ngushtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nismëtarët e ligjit për Dhomat e Specializuara kanë pasur qëllim të mirë.

Reklamë

“Ky qëllim ka ardhur nga zhgënjimi me vendimin e 16 shtatorit. Duhet ta përmendim se ku janë rrënjët e kësaj gjykate. Në pranverën e vitit 2008, dy delegatë në Këshillin e Evropës e lansuan rrëfimin horror për të ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë dhe trafikimin e organeve. Nuk pati kundërvënien e duhur nga ana jonë. U bënë hulumtime dhe nuk u gjet asgjë”.

Sipas tij, ajo që mbeti dhe duhet të trajtohet në Apel është e ashtuquajtura ndërmarrje kriminale.

Kurti ka thënë se janë të bindur që korrigjimi i vendimit të 16 shtatorit duhet dhe do të ndodhë në Apel, gjë që, sipas tij, pritet të ndodhë gjatë vitit 2027.

Pas këtij deklarimi të Kurti, Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së Vlora Çitaku, mbajti po të enjten një konferencë për media ku bëri të ditur se është dakorduar me kryeministrin Albin Kurti për nisjen e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, e cila pritet të vazhdojë javën e ardhshme.

Reklamë

Çitaku ka thënë se bazë për projektligjin do të jetë teksti i miratuar në dy lexime nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, mbi të cilin do të bëhen ndryshimet e nevojshme.

Ajo ka theksuar se pajtimi mes tyre është arritur për përmbajtjen e ligjit, ndërsa dallimet e deritanishme kanë qenë lidhur me procedurën parlamentare.

“Me zotin Kurti jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet bërë. Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Si rezultat, sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim: nismën e re ligjore menjëherë javën tjetër, me propozimet tona konkrete dhe me propozimet e ekspertëve”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka kërkuar falje për vonesat dhe paqartësitë gjatë këtij procesi, duke thënë se nisma do të dërgohet deri në fund dhe projektligji do të sillet në Kuvend për votim.

Reklamë

“Sot, ju jap zotimin tim se këtë proces do ta çojmë deri në fund. Projektligjin do ta hartojmë dhe do ta sjellim në Kuvend për votim – më të plotë, më të qëndrueshëm juridikisht, më të zbatueshëm praktikisht. Ndërkohë, grupi punues shtetëror do të vazhdojë punën për hartimin e strategjisë së mbrojtjes në apel”, ka thënë ajo.

Çitaku ka theksuar gjithashtu rëndësinë e unitetit të partive politike shqiptare për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ndërsa, të premten Partia Demokratike e Kosovës mbajti një takim të përbashkët të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve.

Në njoftimin e kësaj partie u tha se Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, i njoftoi të pranishmit për zhvillimet e fundit dhe hapat e radhës për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë.

Reklamë

Tutje në njoftim u tha se “Çitaku bëri të ditur se javën e ardhshme pritet të prezantohen frytet e para të punës intensive për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë – strategjia shtetërore për mbrojtjen në apel dhe iniciativa e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Sipas dakordimeve të arritura, kjo iniciativë do të mbështetet në tekstin që Kuvendi miratoi në tetor dhe do të përfshijë kontributet e PDK-së, të ekspertëve dhe të grupit punues”.

Sipas një njoftimi të PDK-së, ajo vlerësoi se uniteti i të gjitha partive parlamentare shqiptare në mbrojtje të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe të çlirimtarëve në Hagë ka peshë historike. Ajo falënderoi të gjithë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me të cilin e kanë mbështetur këtë çështje si kauzë kombëtare.

Tutje në njoftim thuhet se Ushtruesja e detyrës së kryetares, Vlora Çitaku, riafirmoi se mbrojtja e çlirimtarëve në apel është prioritet absolut i PDK-së.

PDK thekson në njoftim se do të angazhohet deri në fund që çlirimtarët të kenë mbështetjen e shtetit në çdo nivel, me mobilizimin e të gjitha kapaciteteve institucionale dhe me fonde të mjaftueshme për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm, me një qëllim të vetëm: rrëzimit të aktgjykimit të shkallës së parë dhe fitores së çlirimtarëve në apel. /Reporteri.net/.