Autor: Xhezair Dashi


“Siç i përshkruani ju, kështu si nipi me gjyshin, s’kemi këso marrëdhëniesh me ShBA-në”, tha përqeshazi e në nerva kryeministri kosovar, Albin Kurti, në një përgjigje për gazetarë kur u pyet rreth kërkesës amerikane për shtyrje dhjetë muajshe të zbatimit të vendimit për targat dhe se a ndikon refuzimi i saj në raportet Kosovë-ShBA, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Departamenti amerikan i Shtetit, që një javë më parë u shpreh “i zhgënjyer dhe i shqetësuar” me vendimin e qeversisë, për Kurtin kategorikisht nuk është ashtu. Beogradi është ai që zhgënjen ShBA-në e BE-në, tha ai, ndonëse një komunikatë e tillë ndaj Beogradit nuk është publikuar, së paku jo kohëve të fundit në lidhje me çështjet e dialogut.

Reklamë

“Qeveria e Kosovës duhet të zgjasë periudhën e zbatimit. Kosova natyrisht ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim sipas marrëveshjes së Brukselit, por ne jemi të zhgënjyer, jemi të shqetësuar se qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve ndërkombëtarë për zbatim”, ka thënë zëdhënësi i DASh, Ned Price.

“Ne kemi qenë të qartë në publik dhe në biseda private se komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e BAshkuara, kërkon shtyrje të plotë të implementimit në këto çështje. Ne nuk kërkojmë shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë implementim të shkallëzuar. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës shtyrje të plotë të implementimit të vendimit”, kishte vazhduar ai.

Por, kryeministri insiston se s’e ka befasuar askë qeveria kosovare, përkundrazi.

“Asnjë veprim i joni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian, jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta. ShBA-të i kemi miq dhe partnerë, pra, miqt dhe partnerët nuk shkruajnë aso komunikata që i cituat ju”, tha kryeministri.

Edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, ka kërkuar ditë më parë që “menjëherë të zgjatet procesi i riregjistrimit të automjeteve dhe vendimi për ndëshkimi e automjeteve me targa KM”.

Reklamë

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përveç kërkesën për shtyrje të zbatimit të vendimit për targat, kërkoi të dielen që Kosova gjithashtu “menjëherë të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e tij obligim ligjor për Kosovën”.

“Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”.

Reklamë

“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut”, thotë deklarata e SHBA-së dërguar për gazetën online Reporteri.net.

Dalja e serbëve nga institucionet

Shpjegimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për situatën e krijuar ku serbët në pjesën veriore të Kosovës u tërhoqën nga institucionet, ishte se kjo s’ka të bëjë as me shkarkimin e drejtorit rajonal për Veriun e Kosovës, Nenad Gjuriç, as me mosthemelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Diku tjetër qëndron problemi, tha ai, teksa shtoi arsyet e deklaruara nga Lista Serbe dhe Beogradi janë veçse maskim. Janë kamuflim i “refuzimit të planit franko-gjerman” nga Beogradi, tha Albin Kurti.

Reklamë

“Çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive. Serbia është e interesuar ta sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje. Rruga që ka zgjedhur është kërcënimi i qytetarëve”, tha ai në konferencë për media.

Sa i përket tërheqjes së Listës Serbe nga institucionet, Kurti tha se vazhdimisht gjatë vitit një paralajmërim i tillë është dhënë, dhe madje është folur edhe për trazira. Por, krjet një skenar të tillë, Kurti e reduktoi në shpjegimin se kjo ka të bëjë me refuzimi që Beograd i ka bërë propozimeve të Parisit dhe Berlinit.

“Më 9 shtator, patën ardhur në zyrën time e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltarë të lartë të kancelarin Scholz, bashkë me ndërmjetësin Lajçak. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve të modeleve që unë nuk i kam refuzuar, por kam thënë janë bazë e mirë”.

“Ua kam dhënë edhe vërejtjet e mia, por nuk e kam kundërshtuar. Jo që u refuzua, por edhe u kundërshtua në Beograd. Në mënyrë unanime Serbia e refuzoi. Disa herë gjatë vitit jemi kërcënuar se do të ketë bojkotime dhe tërheqje”.

Reklamë

“Se do të ketë vakum, trazira, paligjshmëri. Po bëjmë gjithçka që këto të mos ndodhin. Të gjithë zyrtarëve iu bëj thirrje të mos i lëshojnë ato pozita dhe të mos japin dorëheqje”, tha Kurti./Reporteri.net/