Largimin nga puna, ish-punonjësi serb i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Marko Jaksiç, e ka quajtur “tejet emocionale” ngase siç tha ai ka pasur bashkëpunim miqësor me shqiptarët, në një rrëfim për televizionin N1, raporton gazeta online Reporteri.net.
Jaksiç e akuzoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për “shkatërrim të një tregimi të suksesshëm multi-etnik që në këtë rast ishte gjyqësori”.
“Sepse insistuan në tema të marra si targat, të cilat s’e kanë kafshuar asnjë shqiptar, dhe mua më duket që edhe shqiptarët janë të inatosur me Kurtin që gjërat i ktheu në vitin 2013”, ka thënë ai.
Pas dorëheqjes së punonjësve nga gjykatat dhe prokuroritë, ky punonjës tha se “gjyqësori i integruar në këtë formë nuk do të ekzistojë më, dhe kjo përmbledh shumë gjëra”.
“Për këto pesë vite, njerëzit bashkëpunues në interes të të dy komuniteteve kanë ndërtuar marrëdhënie miqësore. Kur u bë e qartë për të gjithë se ishte dalja e fundit, ka pasur emocione dhe lot, dhe më vjen keq që dikush nuk e ka dokumentuar, sepse do të kishte qenë një dokumentar i jashtëzakonshëm se si një njeri që krijon probleme në Kosovë e shkatërroi të vetmen storje suksesi të Brukselit”, ka vazhduar të thotë ai.
Për çështjen e targave ai u shpreh se ishte “një politikë rigjide drejtuar veriut të Kosovës”.
“Askush më nuk planifikon të kthehet te ajo ndërtesë ose gjykatë në atë formë. Jemi gati të jemi pjesë e disa tregimeve të reja, por sigurisht se jo më të kthehemi në situatën që ishim deri të premten”, ka thënë ai.
Serbët, të kryesuar nga Lista Serbe, janë tërhequr nga institucionet e Kosovës për shkak se, siç kanë argumentuar ata, nuk pranojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave të paligjshme serbe “KM, PZ, etj”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se largimi i serbëve nuk ka të bëjë as me targa e as me suspendimine e drejtorit rajonal të policisë pë Mitrovicë të Veriut, por se është vepër e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për të maskuar refuzimin e tij ndaj planit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi./Reporteri.net/