Çështjen me Kosovën, shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit serb “Moramo-Zajedno”, Nebojsha Zelenoviç, e sheh të zgjidhshme vetëm përmes një marrëveshje të Serbisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, raporton gazeta online Reporteir.net.
Në një intervistë për gazetën serbe “Nova” ai vlerësoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk mund t’i mbijetojë politikisht formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe” për çka tha se ky është një problem që duhet të zgjidhet bashkërisht nga ShBA, BE dhe Kosova.
“Është realiste që, në një mënyrë apo tjetër, vendimi i pafat i targave do të shtyhet, dhe që t’i qaset seriosisht formimit të Asociacionit”, ka thënë Zelenoviç.
Më tej, ai tha se ShBA duhet t’i ofrojë Serbisë partneritet strategjik më të hapur dhe më të qartë, derisa tha edhe se BE duhet të del me një koncept të paekuivok për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në tërësi.
“Unë them se çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm si pjesë e një marrëveshje të madhe të të gjithë neve në Ballkanin Perëndimor me Amerikën dhe BE-në”, tha Nebojsha Zelenoviç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar se Serbia zyrtarisht ka refuzuar planin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, dhe se për ta kamufluar refuzimin e tij ka thirrur tërheqjen e serbëve nga isntitucionet e Kosovës.
Ndërkaq presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pa u tërhequr vendimi për targat “KM” dhe pa nisur diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk do të vazhdojë tutje në dialog./Reporteri.net/