Meta, kompania prodhuese e Facebook’ut, ka vendosur të pushojë nga puna më shumë se 11,000 punëtorë, ose 13 për qind të stafit të saj, u tha punonjësve të mërkurën CEO i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg.
“Sot po ndaj disa nga ndryshimet më të vështira që kemi bërë në historinë e Metës”, tha Zuckerberg në një letër drejtuar stafit, raporton Euronews, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Ky veprim, i pari në historinë 18-vjeçare të Metës, vjen vetëm një javë pas mijëra pushimeve tjera të punëtorëve në Twitter nën pronarin e ri, miliarderin Elon Musk, dhe në kompani të tjera teknologjike që punësuan me shpejtësi gjatë pandemisë COVID-19.
Zuckerberg tha se edhe ai kishte parashikuar rritje të shpejtë edhe pas përfundimit të pandemisë. “Për fat të keq, kjo nuk shkoi ashtu siç prisja”, tha ai në letrën e tij.
“Jo vetëm që tregtia në internet është kthyer në tendencat e mëparshme, por rënia makroekonomike, rritja e konkurrencës dhe humbja e sinjalit të reklamave kanë bërë që të ardhurat tona të jenë shumë më të ulëta nga sa prisja. Këtu kam gabuar dhe marr përgjegjësinë”.
Meta, si kompanitë e tjera të mediave sociale, përjetoi një rritje financiare gjatë pandemisë, pasi më shumë njerëz qëndruan në shtëpi dhe, si të tillë, i përdorën telefonat dhe kompjuterët e tyre më shpesh.
Por ndërsa mbylljet mbaruan dhe njerëzit filluan të dilnin përsëri jashtë, rritja e të ardhurave filloi të zbehej.
Meta raportoi një rënie të mprehtë të të ardhurave në tetor, gjë që i trembi investitorët dhe si rrjedhojë, aksionet e Metës arrinë në 20 për qind në tremujorin e tretë. /Reporteri.net/.