Dorëheqjet në veri janë përpjekje për ta imponuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe njëkohësisht përpjekje për të dëshmuar se Serbia e kontrollon veriun, vlerëson profesori universitar në Winchester, Seb Bytyçi në një bisedë me gazetën online Reporteri.net.
Bytyçi këto përpjekje i sheh të një lloj “Krimeje e butë” ku përmes strukturave ilegale Serbia provon të krijojë ndarje të brendshme në Kosovë.
Në dritë të kësaj, profesori universitar në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Winchester, thotë edhe se Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman pikërisht me kërkesën që të formohet Asociacioni.
Pyetur se si i vlerëson veprimet e qeverisë kosovare për të proceduar me shtrirjen e plotë të sovranitetit në trafik në pjesën veriore, Bytyçi e sheh në përcaktueshmërinë e Kosovës për ta bërë saktësisht këtë.
“Edhe veprimet e Kosovës në anën tjetër mund të shihen si përpjekje për të dëshmuar se Kosova e ka nën kontroll territorin në veri. Kosova mund ta pezullojë vendimin për disa arsye. Kryesisht do të varet nga informatat në terren, për shembull për ta evituar dhunën. Ose nëse siguron diçka në këmbim, siç është braktisja e targave paralele”, tha Seb Bytyçi për Reporteri.net.
“Arsye tjetër mund të jetë fokusimi i diskursit ndërkombëtar te refuzimi i planit franko-gjerman nga Serbia dhe pasojat e tij. Pra bëhet fjalë për pezullim e jo shtyrje. Dhe do të mund të pezullohej lëshimi i targave të reja për tërë vendin jo vetëm veriun, për të pasur uniformitet. Gjithashtu, mund të ketë një fushatë sharmi për veriun. Kjo nënkupton se garantohet siguria e qytetarëve duke përndjekur personat që i djegin veturat”, vazhdoi ai.
Mes tjerash, Bytyçi konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të shpallë dialog të brendshëm me komunitetin serb si dhe programe zhvillimore të investimeve në projekte multietnike./Reporteri.net/