Themelet e planit franko-gjerman të cilat nisen nga fakti se Kosova është shtet i pavarur janë të papranueshme për Serbinë, përsëriti zv/kryeministri dhe ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiç, duke folur në televizionin serb “Pink”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Një zgjidhje politike të tillë çfarë ofrohet përmes planit franko-gjerman s’ka si të jetë e pranueshme për Serbinë, elaboroi Daçiç duke shtuar se aty merret si e mirëqenë pavarësia e Kosovës.

Mes tjerash, ai ripohoi qëndrimin serb në mos-sanksionimin e Federatës Ruse duke u thirrur në qëndrimin e tyre refuzues ndaj Kosovës.

Reklamë

“Vendimet tona mbi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, qoftë direkt apo indirekt, do të ndikonin në pozicionin tonë me Kosovën, dhe po ta bënin këtë do të inatosnim ca miqtë tanë tradicionalë”, ka thënë Daçiç.

“Serbia rrezikon shumë në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, nuk ka asnjë garancion se nuk do të vendostte në rrezik interesat kombëtare të saj. Nuk kemi garancione nga askush në Perëndim që këto interesa do të ruhen”, tha Daçiç duke nënkuptuar me këto “interesa” çështjet me Kosovën, raporton Reporteri.net.

Daçiç ka qenë i pari që ka argumentuar në kundërshtimin eksplicit të planit franko-gjerman duke thënë se ajo niset nga premisa e mirëqenë e shtetit të pavarur të Kosovës dhe çeljen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës në Kombe të Bashkuara.

Ditë më parë, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Daçiç tha se Serbia s’e lëshon dorën e Rusisë në raport me çështjen e Kosovës “pa e gjeture një dorë tjetër”.

Ai madje iu drejtua ShBA’së me kërkesën “çfarë na ofroni?”.

Reklamë

Pyetur nga Zëri i Amerikës se për çfarë “oferte” e ka fjalën, ai tha “një ofertë fer për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

“Epo, oferta nuk mund të jetë si ‘votoni për sanksionet kundër Rusisë’ kur pika e dytë është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe KiE. Epo, prisni pak, ne s’kemi rënë nga Marsi, kështu që s’po e ditkam se cilat janë interesat tona”.

“Ne duam një ujdi, e duam, por askush s’e lëshon njërën dorë kur janë mbi një grehinë derisa të kenë një dorë tjetër. Dhe cila është dora tjetër? Sepse ata nuk duan që ne të lëshojmë atë dorë të vetme në të cilën po mbahemi”.

“Unë jam krejtësisht konkret dhe praktik, dhe kam thënë para 10 viteve në Uashington gjithashtu – përderisa problemi me Kosovën është aktual, ne duhet të kujdesemi ndaj atyre që pëkrahin interesat tona në lidhje me të”, ka thënë Ivica Daçiç.

Reklamë

Është interes jetik i BE-së, tha Daçiç, që Serbia të jetë pjesë e saj. Por, beson ai, Perëndimi vetiu po e shtyen Beogradin kah Moska, transmeton Reporteri.