“Serbët duhet të vazhdojnë me metodat jo të dhunshme sepse ‘janë më vdekjeprurëset’ dhe komunitetit ndërkombëtar më së shumti i dhemb që serbët s’janë më në institucionet e Kosovës”.

Kështu u shpreh Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, duke komentuar ngjarjet e fundit në pjesën veriore të Kosovës ku serbët u dorëhoqën nga institucionet.

Duke folur në televizionin propagandistik serb “Tv Happy” ai tha se autoritetet kosovare “do të gjejnë disa serbë të tyre” për t’i vendosur në institucione “njëjtë si Serbia siç i vendoste shqiptarët e vet në të 90’at”, raporton gazeta online Reporteri.net.

Reklamë

Zgjidhja “më realiste”, tha Daçiç, “do të ishte të kuptojmë situatën në terren”, e që sipas tij, kjo është “të dimë se çfarë është e serbëve e çfarë është e shqiptarëve”. Dhe, vazhdoi ai, “fajtorët kryesorë për moszgjedhjen e këtij problemi janë ata që nuk e kuptojnë se kjo është zgjidhja më fer dhe më e shpejtë”.

Përveç kësaj, ai foli edhe për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës, gjë që sipas tij, përbën shkelje të Marrëveshjes së Uashingtonit, ndonëse ajo marrëveshje caktonte moratorium njëvjeçar.

“Do t’ua shpaguajmë jo me masën e njëjtë, por dhjetë fish më shumë”, u shpreh Ivica Daçiç, derisa shtoi se Serbia po punon në fushatën e saj ndërkombëtare për çnjohje të Kosovës./Reporteri.net/