Mëngjesin e së mërkures ka pasur alarm për bomba në shtatë shkolla në kryqytetin maqedonas, njoftoi ministria e brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Policia e informoi ministrinë e brendshme për masat e evakuimit të sigurt dhe kontrolleve anti-terror, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Në orën 09:30 në Shkup është raportuar se në adresën elektronike të shtatë shkollave në Shkup është dërguar kërcënim me eksploziv. Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, punonjësit e policisë po marrin masa për evakuim të sigurt dhe janë duke vazhduar kontrollet antiterroriste dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dje në një intervistë i pyetur nëse ka ndonjë simbolikë që kërcënimet me bombë ndodhin vetëm të mërkurën, të enjten dhe të premten, ai tha se nuk ndodhin vetëm në tri ditët e fundit të javës së punës, por që ato ndodhin kur mësimdhënia ndjek të njëjtin turn me të njëjtin staf mësimor.
Sipas ministrit, qëllimi i raportimeve për bombat e rreme që ndodhën javët e kaluara në disa shkolla të mesme të Shkupit është që të ndikohet në situatën politike në vend, në kapacitetin e institucioneve dhe të qytetarëve duke shkaktuar ankth dhe pasiguri.
Ai theksoi në intervistë se për çdo raportim të tillë ka protokolle, të cilat duhet të respektohen pavarësisht shkallës së probabilitetit për vendosjen e bombave, që sigurisht harxhon shumë forcë dhe energji, por thekson se policia është absolutisht e gatshme me gjithë potencialin dhe kapacitetin e tyre dhe për shkak se më shumë sektorë janë të përfshirë në të gjithë këtë proces./Reporteri.net/