Në disa versione të ndryshme të planit, tashmë të njohur në opinion publik si franko-gjerman, që Drejtori i Insitutit KIPRED Lulzim Peci thotë t’i ketë parë, përmbahen edhe provizione rreth Kishës Ortodokse Serbe, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Kam parë disa versione të këtij plani, nuk jam i sigurt cili është i vërteti. Në esencë sillet modeli i dy Gjermanive për fazën e parë dhe pastaj ka të bëjë me njohjen përfundimtare që do ta nënkuptonte edhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, s’mund të ketë normalizim pa njohje të të dyja vendeve, dhe pa pasur marrëdhënie diplomatike”.
Këto komente ai i bëri gjatë një diskutimi të Kosovë Democratic Institutie me temën “Momentumi i ri në raporter Kosovë-Serbi – Cila është rruga para”.
“Janë edhe dy elemente të tjera, në njërin prej versioneve që kam parë, një çështje e cila është vënë aty të diskutohet, s’jam i sigurt nëse ky është versioni derisa del ai zyrtar, njëra nga pikat do të jetë edhe Kisha Ortodokse Serbe dhe implementimi i të gjitha marrëveshjeve të cilat janë zbatuar deri tani, mirëpo mos e merrni fjalën time si përfundimtare, pa dalë edhe versioni përfundimtar, por në njërin nga versionet që kam parë e ka këtë element”./Reporteri.net/