Anëtarët dhe mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje janë aktivizuar masivisht në mesazhe hashtag në Facebook #meKryeministrin dhe #RKS, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Krejt kjo gjatë kohës sa po zhvillohet takimi trilateral BE-Kosovë-Serbi për çështjen e targave, tashmë qe 5 orë brenda dyersh të mbyllura.

I pari që e nisi këtë “mesazh” që në mënyrë implicite konfirmon se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po qëndron në pozicionin se s’ka zmbrapsje për çështjen e riregjistrimit të tërësishëm në targa RKS, ishte zëdhënësis i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Reklamë

Ndonëse ende nuk ka asnjë informacion zyrtar rreth negociatave të sotme në Bruksel, media opozitare serbe “Nova.rs” ka thënë se nga burimet e tyre diplomatike, Aleksandar Vuçiç ka refuzuar propozimin e BE’së për zgjidhje rreth çështjes së targave, ndërsa Albin Kurti nuk është tërhequr nga përcaktueshmëria e tij për riregjistrimin e plotë në targa RKS dhe në sanksionimin e vozitësve që s’i ndërrojnë ato.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borell pritet që pas takimit tripalësh të dalë në konferencë për media për të lajmëruar për ecurinë e bisedimeve.

Mediat e afërta me Vuçiç’in, tabloidët propagandistikë si “Informer, Alo, Novosti, Blic etj” kanë shkruar se Aleksandar Vuçiç do t’i adresohet sonte publikut dhe se ka refuzuar “propozimin e turpshëm nga BE” rreth çështjes së targave, shkruan Reporteri.net.

Që nga nesër, përkatësisht më 22 nëntor, pritet të kalohet nga masa e qortimin në gjobitje për vozitësit me targat e paligjshme “KM, etj” në pjesën veriore të vendit./Reporteri.net/