Nenad Rashiq nuk është përfaqësues i serbëve të Kosovës dhe kjo e bën Qeverinë e Kosovës jokushtetuese, ka deklaruar Kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe anëtari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Neni 96, paragrafi 5, qartësisht tregon mënyrën se si përfaqësuesit e popullit serb zgjedhen në Qeverinë e Kosovës. Këtu ngritet një pyetje e qartë. Pasi që pash që Rada Trajkoviq, Nenad Rashiq dhe Albin Kurti thanë se nuk janë shkelur procedurat, nëse Nenad Rashiqin e ka zgjedhur për kuotë të partisë së tij, atëherë kjo Qeveri e Kosovës është jokushtetuese”, ka thënë Jevtiq për Tanjug.
Kjo, sipas tij, sepse në përbërjen e saj, Qeveria e Kosovës nuk ka përfaqësues të serbëve.
“Nëse Kurti e emëron Nenad Rashiçin si Ministër për Komunitete dhe Kthim ose në ndonjë tjetër ministri, ai duhet të thotë se është bazuar në nenin e dytë në zgjedhjen dhe emërimin e ministrave dhe të thotë qartë se Nenad Rashiç nuk është zgjedhur si përfaqësues i popullit serb. Gjë të cilin ne e dimë shumë mirë, pasi që nuk ka marrë mbështetje për këtë. As Rashiq as Trajkoviq nuk kanë mbështetje te populli serb”, ka vazhduar të thotë ai.
“Kështu që ose Kushtetuta është shkelur nëse Kurti thotë se Nenad Rashiq është përfaqësues i popullit serb, kjo i bie që Kushtetuta është shkelur në njërën anë, dhe nëse thotë se nuk është përfaqësues i popullit serb, dhe e ka emëruar ministër në një bazë tjetër, atëherë e tërë Qeveria e Kosovës, siç e thash, është jokushtetuese, dhe prandaj edhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë ndryshe”, ka thënë ai.
Madje, për të dëshmuar pohimin e tij se Rashq “nuk i përfaqëson serbët”, Jevtiq tha se ai “foli në gjuhën shqipe” gjatë fushatës zgjedhore.
“Kjo flet shumë për faktin se sa thelbësisht ai përfaqëson popullin serb mbi atë bazë”.
Lista Serbe ka lajmëruar se emërimin e Nenad Rashiç në postin e Ministrit për Komunitete dhe Kthim do ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Si e ka arsyetuar Qeveria?
“Kushtetuta e vendit i jep kompetencë të plotë Kryeministrit [Albin] Kurti që të bëjë ndryshime në kabinetit qeverisës pa pëlqimin apo aprovimin e Kuvendit. Duke e njohur si shef të pakontestuar të Qeverisë, kushtetuta i jep autoritetin Kryeministrit që të ndërrojë një ministër pa pëlqim të Kuvendit, me qëllim sigurimin e zbatimit të politikave të tij nga kabineti qeveritar. Procedura e përzgjedhjes së ministrave që vijnë nga komunitetet përmes aprovimit të tyre në Kuvend edhe nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, sipas nenit 96, është respektuar gjatë votimit të Qeverisë Kurti 2”. Kështu është përgjigjur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, pyetur rreth vlerësimeve se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën me emërimin e Nenad Rashiq Ministër për Komunite dhe Kthim.
“Pas situatës së shkaktuar me dorëheqjen z. [Goran] Rakiq, neni 96 interpretohet në dritë të nenit 94 paragrafit 4 mbi kompetencat e Kryeministrit”, tha Kryeziu.
Emërimi i Nenad Rashiq zgjoi edhe reagimin e Presidentit të Serbisë, i cili në një shpërthim nervash i tha televizionit serb “Pink TV” se ky emërim është “absolutisht i dënueshëm”, derisa Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i dha edhe cilësime të rënda si “llum terrorist”.
“Emërimi i Rashiqit, një njeri që ka marrë më pak se një për qind të votave, si dhe Rada Trajkoviçin, që ka qenë në listën e tij, dëshmon se këta duan përndjekje, dëbim dhe zhdukjen e serbëve nga Kosova. Llumi terrorist [Albin Kurti] do të duhej të kishte marrë dënimin e merituar nga Bashkimi Evropian. Por, sigurisht që nuk e ka marrë…jo vetëm që u shkelën normat e Marrëveshjes së Brukselit, e drejta publike ndërkombëtare dhe të gjitha normat ndërkombëtare”, ka thënë Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Rashiq, në anën tjetër, e mirëpriti emërimin e tij dhe shtoi se ka bashkëpunim të mirë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Nuk është për t’u befasuar shumë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më emëroi mua si Ministër për Komunitete dhe Kthim, sepse para tri vitesh kam qenë Drejtor i Zyrës për Komunitete. Unë kam përvojë në bashkëpunim me Kryeministrin Kurti dhe pres mbështetjen e tij në punën e ardhshme time. Emërimi im vjen si pasojë e veprimeve të Listës Serbe dhe ish-Ministrit Goran Rakiq për t’u larguar nga institucionet. Detyra ime do të jetë që të jem ministër më i mirë se paraardhësi im, dhe kjo mbase s’do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë Nenad Rashiq për të përditshmen serbe “Danas”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Lista Serbe e ka kundërshtuar emërimin e Nenad Rashiq për Ministër për Komunitete dhe Kthim teksa ka thënë se do ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Lista Serbe, njëjtë si i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, pretendojnë se “Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës”, sipas të cilës, siç pretendojnë ata, “për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet të jetë pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë [në Kuvend]”.
“Kjo tregoi se sa me rëndësi strategjike ishte verifikimi i mandateve të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Prishtinës, dhe mos lejimi i disa serbëve të Kurtit që të vendosin për interesat e popullit serb në vend të Listës Serbe“, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, hodhi vrer ndaj Nenad Rashiq, dhe politikanes liberale Rada Trajoviç, teksa tha se serbët e Kosovës nuk i kanë votuar ato.
“Këtë e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, ku lista e Rashiqit mori 0.173 për qind të votave, ndryshe nga Lista Serbe e cila fitoi gati se 96 për qind”, ka shkruar Petkoviq.
“Edhe akti më i lartë ligjor i Kosovës në nenin 96, paragrafin 5, parasheh që zgjedhja e një ministri serb duhet të ketë mbështetjen e deputetëve të komunitetit serb, në këtë rast Listën Serbe, dhe këtë mbështetje Kurti kurrë s’do ta kishte marrë nga deputetët e Listës Serbe”, ka vazhduar më tej ai.
Ndërkaq edhe ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka vlerësuar si shkelje kushtetuese emërimin e Rashiqit./Reporteri.net/