×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri serb i mbrojtjes “zbutet” pas deklaratës së Escobar: “Nuk duam çështjet t’i zgjidhim me ushtri, por politikisht”

    Reporteri
    15 Dhjetor 2022 | 10:47
    Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç

    Një diskurs dukshëm më i butë e ka shoqëruar gjuhën e zv/kryeministrit të parë serb, njëherit edhe ministër i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, i cili, pas proklamimeve pompoze “për kthim të një mijë forcave serbe në Kosovë” ndërroi tonet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Duam që me politikë të zgjedhim çështjet politike, jo me ushtri”, i tha ai televizionit serb “Tv Happy”.

    Një deklaratë e tillë vjen pasi që zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, u shpreh se Kosova ka garanca të mëdha sigurie nga ShBA-ja, dhe se “kategorikisht” e kundërshtojnë mundësinë e një të ashtuquajture “rikthim” të forcave serbe në Kosovë.

    Ndërkaq Vuçeviç, insistoi që për serbët e Kosovës të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, për të cilën tha se “është një formë autonomie”. Asociacioni, vazhdoi të thotë ai, “është garanca që serbët të mund të jetojnë në ato zona”.

    “Ne duam fuqizim tē ekonomisë dhe mbrojtjes së Serbisë. S’duam konflikte, por askush nuk ka dilemë që Serbia do t’i mbrojë qytetarët e saj dhe se s’do të ketë ‘Stuhi’ tjetër. Ushtria është e pajisur dhe e armatosur, dhe duam që gjërat të zgjidhen politikisht dhe jo me ushtri”, tha ai.

    Kujtojmë se më 15 dhjetor, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se do t’i adresojë kërkesë zyrtare Aleancës Veri-Atlantike për të “rikthyer” rreth një mijë trupa serbe në Kosovë, duke u thirrur në pikën 4 dhe 6 të Aneksit 2, shkruan Reporteri.net.

    ShBA e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë, duke rikujtuar garancat e forta të sigurisë amerikane në Kosovë, të cilat manifestohen përmes pjesmarrjes në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!