“Thirje për likuidim të serbëve” e ka quajtur ventrilokisti i Aleksandar Vuçiç, Petar Petkoviç, deklaratën e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, rreth barrikadava të vendosura në pjesën veriore të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti i tha “The Guardian” se sa i përket çështjes së heqjes së barrikadave “shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë mundësinë e viktimave. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative”.
Këtë deklaratë Petkoviç e quajti “kërcënim serioz” për të cilën tha se “Serbia e merr shumë seriozisht” derisa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të reagojë urgjentisht”.
“Kur e dimë se për çfarë ishte përgatitur në periudhën e kaluar për të provokuar një përshkallëzim të situatës në terren, ne i marrim shumë seriozisht kërcënimet e tilla”, theksoi Petkoviç, njoftoi e ashtuquajtura “zyrë për Kosovën” në qeverinë serbe.
“Tani është e qartë si kristali se dislokimin ilegal i forcave speciale me tyta të gjata në veri të Kosovës nuk ka për qëllin ‘mision paqësor’ por është kërcënim direkt ndaj popullit serb në Kosovë”, ka thënë Petkoviç, përcjell Reporteri.net.
Madje, ai tha se një deklaratë e tillë “dëshmoi se ka qenë korrekte” kërkesa serbe për të “kthyer” forcat serbe sipas Rezolutës 12/44 në pjesën veriore të Kosovës.
“Kurti le të jetë i bindur se Beogradi kurrë s’do ta lejojë që kërcënimet e tij ti kthejë në vepra”, ka shkruar mes tjerash Petkoviç./Reporteri.net/