×
  • Lajme
  • Lajme

    Irritimi serb ndaj Gjermanisë, përplasjet e fundit për Kosovën

    Reporteri
    21 Dhjetor 2022 | 11:43
    Fotografi e punuar nga Reporteri.net

    Autor: Xhezair Dashi


    Ishte në margjinat e Forumin të Paqes në Paris, teksa po fliste për media, kur president serb Aleksandar Vuçiç, në një ofshamë dëshpëruese, i tha publikut serb se “tashmë nuk ka asnjë fshehtësi” se kush e mbështet Kosovën “në secilin hap që ata e marrin”.

    Ky shtet mbështetës, thoshte Vuçiç në melodramaticitetin e zakonshëm mediatik të tij, është Gjermania.

    Dhjetë ditët e fundit, në veçanti, Serbia s’ka arritur assesi të përbijë qëndrimet e drejtpërdrejta dhe të prera gjermane rreth tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Mosdurimi i tyre ndaj qëndrimeve esëll të Gjermanisë, ka kaluar edhe në histeri.

    E para ishte kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock e cila më 11 dhjetor, me t’u vendosur barrikadat në pjesën veriore të vendit, i dënoi ato përmes një cicërime në Twitter.

    Por, jo vetëm barrikadat. Ajo dënoi “retorikën serbe” si dhe vetë idenë që Serbia të paramendojë të thirret në Rezolutën 12/44 për të ashtuquajturin “rikthim të rreth një mijë forcave ushtarake dhe policore” në Kosovë.

    “Kosova i uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia e bënë të kundërtën. Ideja për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme. Siç janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga Mirosllav Lajçaku”, shkroi ministrja gjermane.

    Ambasadorja gjermane në Beograd, Anke Konrad, duke folur për televizionin N1, edicionin në gjuhën serbe, tha se “asnjë bazë nuk ekiston” në Rezolutën 12/44 që Serbia të thirret për kthim të forcave në pjesën veriore të vendit.

    Kjo deklaratë e Konrad u prit me mllef dhe reagime në Beograd, pikësëpari nga i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

    “Ku na qenka pozicioni parimor i Gjermanisë ndaj asaj që shkruhet në mënyrë eksplicite në Rezolutën 12/44, se nuk paska bazë për rikthimin e ushtrisë [serbe] në Kosovë, dhe se ajo që nuk është në Rezolutë, siç është shkelja e integritetit territorial të Serbisë, paska bazë. Ku është e drejta ndërkombëtare?”, i reagoi Petkoviç në Twitter.

    Ndërkaq, për barrikadat, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode, u shpreh se pozicioni i Gjermanisë është i qartë; ato janë të paligjshme dhe duhet të hiqen. Sa për thirrje në Rezolutën 12/44 për gjoja “rikthikimin” e forcave serbe, ambasadori gjerman e quajti “të papranueshme dhe asburde”.

    “Qëndrimi ynë është i qartë. Barrikadat janë të paligjshme dhe kushdo që i ka instaluar duhet t’i largojë sa më shpejt”, tha ai.

    Aleksandar Vuçiç, duke folur nga Azerbejxhani, ambasadorin gjerman e quajti “anti-serb” dhe se “deklaratat e tij janë të rrezikshme për popullin serb”.

    “Gjermania dëshiron dominim të plotë në Ballkan”, ka thënë ai.

    Irritimi serb ndaj Gjermanisë kishte qenë më i fuqishmi ndaj deklaratës së dhënë nga kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, i cili në vizitën e tij të parë në rajon, u shpreh se nuk ka BE pa njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi, shkruan Reporteri.net.

    Formulimi i tij ishte therrës për opinionin publik serb, i cili në një konferencë në Beograd, tha se “është e pamendueshme” që dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën të mund të hyjnë në BE, dhe se Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka “epilog të logjikshën” njohjen e ndërsjellë.

    Ky qëndrim i Scholz, u lexua në Serbi si qëndrim në rend të parë ndryshe nga ajo e ish-kancelares Angela Merkel, dhe nga ai i BE’së që statusit të Kosovës i qaset në mënyrë neutrale dhe pashkëputshëm nga fusnota dhe asterisku, që ia vendos aty “për të mos ia paragjykuar statusin”; do të thotë, duke cituar edhe Rezolutën 12/44 por edhe atë të konfirmimit të pavarësisë së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!