Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar Kryetarin e Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, i cili mëngjesin e së enjtes pretendoi se është ndaluar një autobus me udhëtarë të komunitetit serb që ia kishin mësyrë Rudares për të protestuar, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”, ka thënë Policia e Kosovës në një komunikatë për media.
Përveç kësaj, Jevtiç pretendoi se Policia e Kosovës i ka gjobitur edhe pasagjerët të cilët “nuk kanë pasur letërnjoftime të Kosovës”, gjë që Policia e Kosovës, e mohon.
“Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje”, thotë Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës njoftoi gjithashtu se në protestën e sotme të mbajtur në Rudare kanë marrë pjesë afro 1 mijë e 500 protestues.
Por, si e paraqiti Jevtiç?
Kryetari i Shtërpcës dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiç, pretendoi se serbët u ndaluan të udhëtojnë për të marrë pjesë në protestë.
“Sot, serbët nga jugu i Kosovës, shkuan në numra të mëdhenj drejt protestës në Rudare. Policia e Kosovës ndaloi dhe ktheu prapa autobusët me serbët nga Shtërpca, derisa edhe gjobiti ata që s’kishin letërnjoftime të Kosovës. Kjo është një shembull i demokracisë dhe lirisë për të cilën flet Albin Kurti”, shkroi Jevtiç në Twitter.
“Gjatë rrugës, patrolla të Policisë së Kosovës shënjestruan vetura për të marrë informacione të pasagjerëve me mesazhin ‘silluni mirë, nëse ka probleme do të dimë se kush e ka fajin’. Pasi të gjithë liritë na janë marrë, tash po duan të na marrin edhe të drejtën demokratike për të protestuar”, ka shkruar Jevtiç.
Komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:
Protesta në Rudar të Zveqanit përfundon e qetë.
Policia e Kosovës demanton spekulimet për gjoja pengimin e autobusëve në Shtërpce, që kishin për qëllim shkuarjen në protestë Prishtinë, më 22 dhjetor 2022.
Referuar deklarimeve dhe publikimeve të disa mediumeve se gjoja autobusë me protestues të cilët kishin për qëllim shkuarjen në protestën e paraparë të mbahet në Rudarë të Zveqanit, janë penguar nga Policia e Kosovës, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.
Gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të garantimit të ligjit dhe sigurisë, një autobus është ndaluar sipas procedurave të kontrollit rutinor dhe gjatë verifikimit të dokumenteve disa persona nuk kanë pranuar të legjitimohen nga autoritetet kompetente, prandaj në mënyrë vullnetare (me vetë dëshirë) nuk kanë vazhduar tutje.
Policia e Kosovës siç ka njoftuar përmes komunikatës së saj para fillimit të protestës, ka theksuar njohjen e të drejtës ligjore për të protestuar në mënyrë të qetë nga secili qytetarë si dhe angazhimet policore në respektimin e të drejtave dhe lirive njerëzore pa dallim.
Sipas vlerësimeve në terren rreth orës 13:00, protesta ka përfunduar e qetë, pa ndonjë incident të raportuar dhe në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 pjesëmarrës./Reporteri.net/