Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, deklaroi se Organizata Atlantike e Veriut (NATO) ka parandaluar sulme të përgatitura terroriste në së paku tri raste, raportuan mediat lokale maqedonase, përcjell Reporteri.net.
Në fjalimin vjetor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Pendarovski u shpreh se NATO në mënyrë aktive ndihmon Maqedoninë e Veriut në lidhje me kërcënimet hibride të cilat në rend të parë janë të lidhura me të kthyerit nga lufta në Lindjen e Mesme.
“Nuk do të futem në hollësi, por sipas të dhënave që kemi marrë nga NATO, sulmet terroriste janë parandaluar në së paku tri raste në vitet e kaluara, derisa ishin ende në fazat përgatitore jashtë territorit tonë”, ka thënë presidenti maqedonas.
Maqedonia e Veriut është anëtare e plotë e NATO-s që nga marsi i vitit 2020, pasi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, Greqia hoqi veton.
“Edhe pse në vitin 2016, jo shumë larg nesh, në Mal të Zi, pati një tentativë për grusht shteti përmes një kërcënimi tradicional, jo hibrid, në Ukrainë duhej të ndodhte një tragjedi e madhe për t’u siguruar që me Marrëveshjen e Prespës ne ishin me kohë nën mburojën kolektive të NATO-s, pa u depersonalizuar nacionalisht, siç u frikësuan disa”, tha Pendarovski./Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.