Mediat botërore i kanë dhënë jehonë raportimeve për “ngritjen maksimale të gatishmërisë ushtarake serbe” në kufi me Kosovën.
Associated Press, Reuters, BBC e të tjera kanë raportuar për ngritjen e kësaj gatishmërie ushtarake si “kërcitja më e zëshme e armëve deri më sot”.
Agjencia AP thekson se “Serbia, e cila është e armatosur me donacione dhe furnizime ushtarake ruse, ka kohë që kërcënon me armë provincën e saj të mëparshme dhe ka kërcënuar me forcë”.
Serbia ka vendosur trupat e saj të sigurisë në kufirin me Kosovën në “gatishmëri të plotë luftarake”, duke injoruar thirrjet e NATO-s për të qetësuar tensionet midis dy armiqve që nga koha e luftërave ballkanike, shtoi agjencia.
“Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë do të thotë ky urdhër në terren, pasi trupat serbe kanë qenë në gatishmëri në kufirin me Kosovën për disa kohë,” tha AP.
Në rritjen e tensioneve ka kontribuar edhe fakti që patriarkut serb Porfirio, i cili tha se do të dëshironte të dërgonte një mesazh paqeje për Krishtlindje më 7 janar, iu refuzua hyrja në Kosovë në pikën kufitare, shton agjencia.
France Press shkruan se situata e krijuar nxjerr në pah “tensionet e fundit në Kosovën fqinje, ku pati të shtëna dhe shpërthime dhe ku u vendosën postblloqe”.
Deutsche Welle vlerëson se “tensionet po rriten më shumë se dy dekada pas luftës brutale në Kosovë”.
Ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, Bratislav Gashiq dhe Millosh Vuçeviq, urdhëruan gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ushtrisë Serbe, me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./Reporteri.net/