“Çështja më nuk është se a do të ketë ose jo Asociacion të Komunave me shumicë serbe por se si do të funksionojë dhe si do të zbatohet ajo”, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për median serbe “Nova.rs”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Pyetur se a ka Uashingtoni mekanizma “detyrues” ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të formuar Asociacionin, ai tha se “logjika është mekanizmi më i fortë”.
“Asociacioni është një gjë tashmë e pranuar dhe është obligim. Tani po merremi me çështjen se si ta zbatojmë. Dhe, nuk është që thjesht mendoj se duhet të formohet, por se është e logjikshme. Mendoj se logjika është mekanizmi më i fortë”, ka thënë Christopher Hill.
Hill iu referua fjalëve të zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se “Asociacioni do të bëhet” dhe se ajo “mbetet kusht”.
Ambasadori, duke folur për situatën aktuale në pjesën veriore të vendit, tha se ShBA “e kupton frustrimin e serbëve të Kosovës”.
“E kuptoj se këto frustrime nuk u shfaqën vetëm para disa ditëve dhe se kanë ekzistuar për një kohë. Në fund të fundit, komuniteti serb ka ekzisuar në Kosovë me shekuj dhe është e drejtë e tyre të dinë se çfarë përmban e ardhmja e tyre”, tha Hill.
Në lidhje me atë se “kur pret” që të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Hill nuk dha ndonjë parashikim konkret.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë në një intervistë dhënë për median boshnjake “Istraga” ka thënë se nuk mund të privilegjohet ekskluzivisht pakica serbe në Kosovë gjatë tërë kohës.
Madje ai shtoi edhe se “priviligjemi i dikujt është diskrimin ndaj dikujt tjetër” derisa tha edhe se Serbia këtë Asociacion e kërkon për ta luftuar pavarësinë e Kosovës./Reporteri.net/