×
  • Lajme
  • Lajme

    Heqja e barrikadave në Veri, kush me kë bëri marrëveshje?

    Reporteri
    30 Dhjetor 2022 | 14:13

    Autor: Xhezair Dashi


    Mbylljes së perdeve si akti konkludues i një perfomance teatrale – barrikadimi 20 ditor i Veriut, thirrjet për kthim të ushtrisë serbe sipas Rezolutës 12/44, rritja e gatishmërisë ushtarake serbe deri në gatishmëri të përdorimit të forcës, mbajtja në një kabinë në Jarinje e ish-policit të arrestuar nën akuza për terrorizëm në pamundësi për ta sjellur në një qendër normale paraburgimi, pamundësia për të siguruar zgjedhjet në katër komunat veriore dhe pezullimi i tyre – nuk iu dëgjua ndofarë duartrokitje.

    Diplomacia mbizotëroi, tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, shkurt dhe zbehtë. Por, një gjë tjetër që Borrell tha, ishte se pati “punë të madhe ekipore” mes Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe KFOR’it të NATO’s për të zgjidhur edhe këtë çështje.

    Rikthimi i përhershëm i së njëjtës, i replikimit të një krizeje të re pas konkludimit të një të vjetre – targat, letërnjoftimet, afishet – ka qenë paterna qarkore që ka karakterizuar marrëdhënien mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërmjetësi evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në nota dëshpërimi, i tha “Politico”-s se nëse deri më 2024 nuk ka marrëveshje, procesi do të duhet të nis nga fillimi.

    Kriza më e fundit e barrikadimit të pjesës veriore u zgjodh, tash për tash, por kush me kë dialogoi për heqjen e tyre?

    Qartazi, Kosova me Serbinë, bilateralisht jo.

    ShBA dhe BE dolën me një deklaratë të përbashkët ku u shprehën të shqetësuar me krizë-pas-krizën në pjesën veriore të vendit, përçka thanë se po punojmë me dy liderët përkatës për gjetjen e një zgjidhje politike.

    Kosova, thanë ata, ka dhënë garanci që s’do të ketë lista arrestimesh e as përndjekjesh penale për protestuesit/barrikaduesit e pjesës veriore, “garancë” kjo të cilës iu ra si bori e fitores serbe nga autoritetet atje.

    Kushtet e tyre për heqjen e barrikadave ishin lirimi i Dejan Pantiç dhe tërheqja e njësive speciale të Kosovës nga pjesa veriore e vendit. Ajo e Pantiçit iu plotësua, dhe pasoi heqja e barrikadave.

    Mëngjesin e së mërkures Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me kriminelë nuk do të dialogohet por do të arrestohen, megjithatë as një orë më vonë mediat serbe lajmëruan se Dejan Pantiç (i arrestuari që u përdor për pretekst të barrikadimit) ishte liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

    “Jam kurioz ta di kush na qenka ai prokuror dhe gjykatës”, tha Kurti, që e paska lejuar një gjë të tillë, deklaratë kjo, që kur lexohet vis-a-vis me atë të ShBA-BE’së se kanë marrë garanci për mosarrestim e mosndjekje penale të serbëve protestues/barrikadues, del të jetë në kundërshti.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në anën tjetër thotë se kanë marrë garanca të forta nga komuniteti ndërkombëtar se nuk do të ketë arrestime dhe ndjekje penale, por edhe që FSK nuk do të mund të hyjë në pjesën veriore të vendit.

    Kryetari i të ashtuquajturit Komision Parlamentar për Kosovë në Serbi, Millovan Dreçun, tha sot se marrëveshja ka qenë mes Serbisë dhe ShBA’së e BE’së, derisa këto dy të fundit janë marrë vesh me Kosovën.

    I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, madje shtoi se përtej këtyre garancive, kanë marrë edhe garanci të forta nga ShBA dhe BE, se “Kosova nuk do ta ketë të lehtë t’i shkel këto marrëveshje”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër, ka thënë pak e hiç për këtë ngjarje. Në një mbledhje me gazetarë ai u shpreh për barrikadat se “vetë i vunë e vetë i hoçën”, derisa ShBA dhe BE, lënë të kuptohet se situata qe ndryshe./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!