Aktivisti i Lëvizjes, Vetëvendosje, Rilind Gërvalla është zgjedhur drejtor i televizionit në RTK 1,3 dhe 4, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Siç edhe pritej, aktivisti i VV-së është votuar nga Bordi për të qenë në krye të transmetuesit publik.
Ai është zgjedhur në krye të televizionit të RTK-së pa asnjë votë kundër.
“Bordi i RTK-së me tetë vota për dhe asnjë kundër, ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e z. Rilind Gervalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3, 4)”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.
Gërvalla është i afërt sidomos me dy prej anëtarëve të grupit të LVV-së nga Tirana: Boiken Abazi dhe Arbër Zaimi dhe po ashtu me zëvendësministrin Hysen Durmishi.
Gërvalla nuk është thjesht aktivist i LVV-së, por raportohet se ka qenë edhe ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
I njëjti është parë në fotografi me anëtarë të kësaj partie në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.
Sekretari i Përgjithshëm në Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, kishte kërkuar nga Bordit që të mos votohen kandidatët që janë të përfshirë dhe kanë lidhje politike.
“Bordi i Drejtorëve të transmetuesit publik të Kosovës sot do të votojë për drejtorin e televizionit RTK. I bëj thirrje bordit të RTK-së që të mos votojnë kandidatët me përkatësi politike dhe lidhje të drejtpërdrejta dhe të ngushta me partinë në pushtet apo me ndonjë parti tjetër politike.” – ka shkruar Gutierrez në Facebook.
Rregullorja e RTK-së për kandidatët që konkurrojnë për pozita menaxheriale, siç është ajo e drejtorit të televizionit, e thotë qartë se kriter kryesor për të qenë pjesë e menaxhmentit të RTK-së është që ‘kandidati të mos jetë pjesë e partive apo forumeve të partive politike së paku në tre vitet e fundit’. /Reporteri.net/