×
  • Extra
  • Tech&Auto

    Intensifikohet gara në fushën e Inteligjencës Artificiale: Google lanson vegla të reja në konkurrencë me ChatGPT

    Reporteri
    15 Mars 2023 | 11:08

    Google së shpejti do të ofrojë versionin e vet të softuerit për të gjeneruar tekst dhe imazhe me ndihmën e inteligjencës artificiale, pasi hyn në një garë gjithnjë e më të pasigurt tregu me kompanitë si ChatGPT dhe Bing i Microsoft’it.

    Kompania njoftoi versione të përmirësuara të aplikacioneve të saj Google Docs, Gmail, Sheets dhe Slides, përdorimi i të cilave duhet të lehtësohet nga inteligjenca artificiale.

    Ashtu si produkti popullor i kompanisë OpenAI – ChatGPT chatbot, ‘veglat’ e Google do të jenë në gjendje të gjenerojnë dhe përmbledhin tekste dhe të shkruajnë emaile të plota bazuar në udhëzimet e shkurtra nga përdoruesit.

    Ato gjithashtu do të jenë në gjendje të pasurojnë prezantimet me imazhe, përmbajtje audio dhe video në aplikacionin Slides, ashtu siç bëjnë DALL-E nga OpenAI dhe Microsoft Designer.

    Që kur ChatGPT u zbulua për publikun dhjetorin e kaluar, ka qenë një “alarm” për Google që të shtojë mjete të bazuara në AI në aplikacionet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

    Megjithatë, vetëm ‘veglat’ që mundësojnë mbështetjen e shkrimit në Docs dhe Gmail do të jenë të disponueshme këtë muaj dhe vetëm për disa njerëz “të besuar”, ndërsa këto dhe veçori të tjera nuk do të jenë të disponueshme për publikun deri në fund të këtij viti, por kompania nuk e bëri specifike se kur.

    “Pavarësisht nëse jeni një profesionist i zënë i burimeve njerëzore që duhet të krijojë përshkrime specifike të punës ose një prind që harton një ftesë për festën e ditëlindjes së një fëmije me një temë të caktuar, Workspace ju kursen kohën dhe përpjekjen për të shkruar një draft të parë. Thjesht shkruani emrin dhe temën që dëshironi të shkruani dhe një skicë do të krijohet automatikisht për ju. Me bashkëpunëtorin tuaj të AI, mund të vazhdoni të rafinoni dhe ndryshoni, duke marrë më shumë sugjerime sipas nevojës”, thuhet në përshkrimin e Google.

    Gjithashtu, në një video demonstrim të aftësive të reja, Google tregon se si inteligjenca artificiale shkruan mesazhe të personalizuara marketingu për klientët dhe bën një seri të gjatë emailesh nga shënime të shkurtra.

    Microsoft thuhet se është duke punuar në opsione të ngjashme për paketën e tyre Office, por ata janë një hap përpara Google’it duke lançuar një Bing të ri, një motor kërkimi të mundësuar nga inteligjenca artificiale.

    CEO i Microsoft Satya Nadella e përshkroi kërkimin e bazuar në AI si një “paradigmë të re” që mund të rrëzojë Google nga froni. Gara me sa duket po bëhet më e ngushtë, pasi Microsoft ka njoftuar se do të shpallë projektet e tij të ardhshme të AI më 16 mars. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!