Albina Kelmendi me familjen e saj kanë filluar rrugëtimin e tyre në Liverpool, me shpresat për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në skenën e Eurovisionit.
Sot, Shqipëria pati provat e para në këtë skenë, dhe nga pamjet që ka publikuar faqja e Eurovision, duket se performanca e tyre do të jetë drithëruese, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në paraqitjen e tyre skenike, të gjashtë anëtarët e grupit janë të veshur me të zeza ndërsa në skenë mbizotëron edhe ngjyra e kuqe.
Nga fotografitë e publikuara, Albina është shfaqur me plot pasion në skenë, një gjë që ajo ka dëshmuar se di ta bëjë më së miri.
Pjesë e performancës duket të jenë edhe mjete piroteknike, si dhe shamiat e kuqe që i karakterizojnë shqiptarët.
Albina dhe Familja Kelmendi do të performojnë në gjysmë-finalen e dytë të Eurovisionit, me 11 maj, e 14-ta në rend.
Këtë edicion, Eurovisioni mbahet në Liverpool në Britani të Madhe. /Reporteri.net/.