Detaje të reja janë zbuluar lidhur me kthimin e papritur të avionit të kompanisë Air Serbia, i cili të martën mbrëma ishte nisur nga Beogradi drejt Moskës, ndërsa në mesin e pasagjerëve dyshohet se ndodhej edhe ish-ministri serb Aleksandar Vulin.
Portali serb Nova.rs raporton se Vulini kishte hyrë në avion pa iu nënshtruar kontrollit të detyrueshëm të sigurisë në aeroport, ndërsa dyshohet se dikush e kishte ndihmuar t’i shmangte procedurat e zakonshme.
Sipas burimeve të kësaj medie, shkelja është zbuluar nga drejtori i sigurisë korporative të Aeroportit të Beogradit, Milan Kuq, ish-pjesëtar i njësisë speciale serbe Kobre.
Pasi kishte shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe kishte konstatuar se Vulini nuk i ishte nënshtruar kontrollit të detyrueshëm, Kuq kishte urdhëruar kthimin e menjëhershëm të avionit në Beograd.
Avioni, me numër fluturimi JU134, ishte nisur nga Aeroporti “Nikola Tesla” në orën 18:48 dhe kishte arritur deri në jug të Lituanisë, kur ishte urdhëruar të ndryshonte drejtim dhe të kthehej në Serbi.
Sipas Nova.rs, fluturimi nuk do të anulohet, por avioni pritet të niset sërish drejt Moskës pas kontrolleve të hollësishme të sigurisë dhe me një ekuipazh tjetër.
Ndërkohë, kompania Air Serbia ka konfirmuar zyrtarisht se avioni është kthyer për shkak të nevojës për kontrolle shtesë të sigurisë lidhur me një pasagjer, pa bërë të ditur identitetin e tij.
Kompania ka sqaruar se vendimi është marrë pas informacioneve të pranuara nga shërbimet përgjegjëse të aeroportit dhe se ekuipazhi ka vepruar në përputhje me procedurat e sigurisë.
Nova.rs ka tentuar të kontaktojë Aleksandar Vulinin për të marrë një përgjigje lidhur me këto raportime. Fillimisht ai ka qenë i paarritshëm, ndërsa më vonë nuk u është përgjigjur telefonatave.
Dyshimet e mëhershme për largimin drejt Moskës
Më herët gjatë ditës, mediat serbe dhe malazeze kishin raportuar se disa ish-zyrtarë të lartë serbë po përgatiteshin të udhëtonin drejt Moskës, në rrethana që kishin nxitur dyshime për një largim të mundshëm nga Serbia.
Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Srđan Milivojević, kishte ngritur publikisht pikëpyetje për këtë udhëtim, duke shkruar në rrjetin social X: “Kush po arratiset sonte drejt Moskës me fluturimin e orës 18:30?”
Sipas raportimeve të mëhershme, dy zyrtarë serbë kishin rezervuar bileta drejt Moskës, njëri prej tyre vetëm në një drejtim.
Portali malazez ETV kishte raportuar se bëhej fjalë për Aleksandar Vulinin dhe Nenad Popovićin, të cilët, sipas burimeve të kësaj medie, kishin paralajmëruar se po udhëtonin në Rusi për konsultime.
Më vonë, Nova.rs raportoi se në avion dyshohej se ndodheshin edhe drejtori i kompanisë shtetërore Srbijagas, Dušan Bajatović, dhe kreu i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popović.
Megjithatë, autoritetet serbe nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e pasagjerit për të cilin u kërkuan kontrolle shtesë. Po ashtu, pretendimet se Vulin po tentonte të largohej nga Serbia për t’iu shmangur një hetimi mbeten të pakonfirmuara.