×
  • Lajme
  • Lajme / Kërcënimi për vizat

    Njohësi i Integrimeve Evropiane, Shasha: Franca ka zero mundësi në mënyrë unilaterale të pezullojë vizat

    Reporteri
    17 Tetor 2023 | 14:35

    Demush Shasha, njohës i Integrimeve evropiane dhe politike njëherësh drejtor nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, EPIK, ka thënë se Franca e ka të pamundur pezullin e vizave për Kosovën, shkruan Reporteri.net.

    “Sot këshilla kryesore diplomatike për Kosovën është: buzëqesh dhe mos thuaj asgjë. Kosova ka kryer të gjitha detyrat e veta të shtëpisë dhe mund të rri komod për liberalizimin e vizave. Ne veç jena tu e prit të buzëqeshur 1 janarin 2024. Eh tash nëse Presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vete të pezullojë liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”, ka thënë Shasha.

    Ai përmes një reagimi ka thënë se nuk duhet marrë seriozisht deklaratat që vijnë pa vendime të prera.

    “Kam thënë edhe më herët. Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”, tha tutje Shasha.

    Deklarata e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me pezullimin e mundshëm të liberalizimit të vizave për Kosovën, ka ngjallur reagime dhe paqartësi në Kosovë.

    “Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë sot Macroni.

    Shasha shton tutje se “Siç duket e gjithë diplomacia franceze është angazhuar për të sqaruar se Presidenti Macron nuk ka thënë atë që fillimisht u raportua”.

    “Dhe përderisa mund ngelim të qetë se nuk ka asnjë ndryshim sa i përket liberalizimit të vizave, dita sikur kjo e sotme tregon se sa traumatike është çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Për pak orë e gjithë shoqëria ndaloj së marrit frymë. Disi kjo temë e liberalizimit të vizave na sjell shqetësim dhe traumë e llojit të kujtimeve të luftës. Një ngjarje traumatike të cilën po mundohesh të lësh mbrapa vetës”, ka thënë Shasha.

    “Në këtë drejtim, përderisa do të ngelem përgjithmonë adhurues i BE-së si krijesë me e suksesshme që njerëzimi ka shpikur, asnjëherë nuk do të mirëkuptoj mungesën e ndjeshmërisë së politikanëve Evropian për të njohur se liberalizimi i vizave për Kosovën është vija e kuqe që kurrë nuk guxon të kalohet dot”, tha Shasha.

    Ambasada e Francës flet për Gazetën Reporteri rreth deklaratës së Macronit për vizat

    Visar Xani, njohës i çështjeve politike dhe evropiane, ka shkruar se çka në realitet është pezullimi i vizave nga Komisioni Evropian.

    “Mekanizmi i Pezullimit të Vizave është përcaktuar në Nenin 8 të Rregullores së Vizave. Qëllimi i tij kryesor është të mundësojë një pezullim të përkohshëm të përjashtimit nga viza në rast të një rritje të papritur dhe të konsiderueshme të migrimit të parregullt ose rreziqeve të sigurisë (për BE)”, ka shkruar ai.

    Çfarë është pezullimi i vizave nga Komisioni Evropian?

    Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është botuar tashmë në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

    Me këtë veprim përmbyllet edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

    Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 – prej kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!