Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Vjosa Osmani, ka mohuar se një pjesë e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese, NJSI, të Policisë së Kosovës, e kanë bojkotuar “Darkën e Lamës”, të organizuar nga shefja e shtetit.
Kupina, që tha se organizimi u është kushtuar të rënëve në detyrë, shtoi se Osmani ka darkuar vetëm me gjysmën e policëve, ndërsa gjysma tjetër s’mund të vinin pasi ishin në ndërrim pune, shkruan Reporteri.net.
Atyre, thonë se u kanë dërguar ushqim në vend të punës.
“Aktiviteti i është dediku policëve të rënë në detyrë. Prezentë kanë qenë familjet e të gjithë policëve të rënë në detyrë dhe qindra policë nga disa njësite. Presidentja ka darku me gjysmën e tyre, kurse pjesës tjetër, e cila ka qenë në ndërrim, u është dërgu ushqimi në vendin e punës”, thuhet në përgjigjen e këshilltarit Bekim Kupina.
Sipas burimeve të Reporteri.net, bojkotimi ndodhi si pasojë e mos përmbushjes së kërkesave të tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfshirë shtesën e rrezikshmërisë, që policët s’e kanë marrë ende.