Para pak minutash Gazetë Online Reporteri.net raportoi se një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.
Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda autoriteteve të sigurisë, bëjnë të ditur se Policia ka ndalur një veturë të tipit “Mercedes” dhe gjatë kontrollit ka gjetur një armë, të cilën e kanë konfiskuar.
Nuk bëhet i ditur lloji i armës.
Reporteri.net mëson se i arrestuari është Salih Sekiraqa, i cili ka disa dosje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Sekiraqa akuzohet për dy vepra penale.
Njëra është për lëndim të rëndë trupor i akuzuar bashkë me një person tjetër, ndërsa tjetra për mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve.
“ Me datë 23.01.2020 është mbajtur seanca fillestare ku të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë. Gjykata ka dhënë afat prej 30 ditësh për ushtrimin e kundërshtimit kundër aktakuzës dhe provave. I pandehuri H.S ka paraqitur kundërshtimin me datë 21.02.2020 ndërsa i akuzuari S.S me datë 26.02.2020. Gjykata do të merr vendim lidhur me kundërshtimet e të akuzuarve dhe varësisht prej vendimit Gjykata do të veprojë mëtutje”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore.
Po ashtu, sipas Gjykatës, Sekiraqa është i dënuar edhe 4 herë me gjobë nga divizioni për çështje penale nga Gjykata Themelore në Prishtinë, 2 herë me nga 300 euro, një herë me 250 dhe një herë 1,200 euro.